Një aksident i rëndë ka ndodhur në Itali ku një 20-vjeçar ka humbur jetën orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas mediave italiane, Thomas udhëtonte së bashku me katër shokë me një automjet tip “Volvo” në drejtim të Milanos.

Pasi kaluan pikën e pagesës, makina humbi kontrollin dhe u përplas me barrierën ndarëse të autostradës.

Pas përplasjes, Thomas Qirjaj zbriti nga automjeti për të sinjalizuar praninë e tij në rrugë, por në ato momente u godit nga një fuoristradë që drejtohej nga një 25-vjeçar, i cili sipas rindërtimit paraprak, nuk arriti ta dallonte në kohë.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ambulancave dhe ekipeve të emergjencës, plagët e marra ishin tepër të rënda. Thomas u transportua me urgjencë në spitalin Predabissi, por ndërroi jetë pak më vonë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar. Katër miqtë që udhëtonin me të nuk pësuan lëndime të rënda.

Kryetarja e bashkisë, Roberta Battaglia, shprehu ngushëllimet për familjen, duke e cilësuar humbjen si të papritur dhe tepër të dhimbshme. Ajo e kujtoi Thomasin si një djalë që e kishte parë të rritej dhe që ishte integruar mirë në komunitetin vendas.

Thomas kishte lindur në Piacenza, në një familje shqiptare të vendosur prej vitesh në Caorso. Ai ishte fëmija i vetëm i familjes. Nëna e tij punon si punëtore, ndërsa babai është i punësuar në Zvicër.

Ndërkohë, për ngjarjen kanë nisur hetimet nga Policia Rrugore e Guardamiglios dhe Prokuroria e Lodit. Autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit, ndërsa ndaj drejtuesit të fuoristradës pritet të kryhen edhe testet toksikologjike, sipas procedurave për raste të tilla.