BARI - Një shqiptar është arrestuar në Bari të Italisë pasi u kap me 36 kg kanabis sativa. Siç raportojnë mediat italiane, mësohet se lënda narkotike e ndarë në 57 pako ishte e fshehur brenda gomave të automjetit tip “Opel Zafira” si dhe në pjesë të brendshme të saj.
 
Sekuestrimi i drogës u realizua pas kontrollit të makinës në portin e Barit. Sipas mediave italiane nëse lënda narkotike do të përfundonte në treg shuma e përfitimit nga shitja e saj do të ishte rreth 360 mijë euro.

goma kanabis
(Në foto: Pamje nga zbulimi i drogës së kapur nga policia italiane brenda gomave të automjetit)
 
Shqiptari i arrestuar, identiteti i të cili nuk bëhet i ditur, është rezident në Breshia të Italisë, ndërsa i duhet të përballet me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Redaksia Online
(a.h/Shqiptarja.com)