ITALI- Një ngjarje kriminale e ndodhur më 6 maj 2024 në Jesolo, Itali, është zbardhur nga Policia pas një viti.
Roberto Basso, 65 vjeç, një shitës duhani, u vra në shtëpinë e tij, ku jetonte i vetëm. Policia ka arrestuar si autor të dyshuar, 36-vjeçarin shqiptar Leonard Shehu, i cili akuzohet për vrasje, raportojnë mediat vendase.
Shqiptari u ndalua nga Karabinierët e Venecias më 26 mars 2025, pas 11 muajsh hetimesh. Motivi i krimit dyshohet se është vjedhja e banesës, e cila ka përfunduar në një sulm fatal.

Duket se Leonard Shehu ka hyrë në shtëpinë e viktimës së tij për të vjedhur sendet e duhanxhiut, por i befasuar ka reaguar duke goditur me një send të mprehtë në kokë Roberto Basso.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe gjurmë të ADN-së së Leonard Shehut. Më tej, Leonard Shehu dyshohet se është përgjuar teksa i ka kërkuar gruas të konfirmonte një alibi për natën e krimit. Në seancën e konfirmimit, prokurori Giovanni Zorzi i ka komunikuar Shehut akuzën e vrasjes me dashje. Gjykatësi ka urdhëruar që ai të mbahet në burg.
Hetimet me teknika të sofistikuara dhe me fjalën më të fundit të teknologjisë kanë zbuluar autorësinë e vrasësit të pronarit të tabakinos (kioskë për shitje cigaresh) në Venecia, më 6 maj 2024. Ai akuzohet si autor i vrasjes në rrethana konflikti për pagesën të Roberto Basso, 64 vjeç. Viktima u gjet i vdekur në shtëpinë e tij, në “Via Antiche Mura”.
Karabinierët e njësisë hetimore të komandës provinciale të Venecias, në përfundim të një aktiviteti hetimor gati një vjeçar, kanë ekzekutuar një urdhër-arresti të lëshuar nga prokuroria. Shqiptari Shehu, i njohur si klient i Bassos, pa precedentë penalë, dyshohet se e ka goditur disa herë në kokë me një send të mprehtë. Viktima u gjet i shtrirë në dysheme, në një pellg gjaku.
Hetimi kompleks dhe i gjatë - i koordinuar nga prokuroria dhe i kryer nga njësia hetimore ushtarake - u krye me veprimtari tradicionale dhe teknike dhe me mbështetjen shkencore të personelit të RIS Parma.
“Nëpërmjet analizës së mbi 100 orë pamjeve të nxjerra nga sisteme të ndryshme të video-mbikëqyrjes publike dhe private të pranishme në zonën e interesit operativ, u identifikua një makinë, e cila u konstatua se ishte në pronësi të personit të arrestuar, i pranishëm në vendngjarje në një afat kohor të përputhshëm me kohën e vrasjes”, informon media italiane, duke iu referuar hetuesve.
Gjatë kontrolleve të ndryshme u gjetën disa fragmente plastike të një kaçavide, të përdorura për të hapur me forcë dritaren e shtëpisë, mbi të cilën, pas analizave laboratorike të kryera në RIS në Parma, u nxor dhe një profil gjenetik që i atribuohet të dyshuarit.
Shkak i krimit mendohet se është gjendja e vështirë ekonomike e autorit, i cili shkoi për të grabitur pronarin e tabakinos. I befasuar nga diktimi prej pronarit të shtëpisë, i dyshuari e ka goditur disa herë me kaçavidë në kokë, dike i shkaktuar plagë fatale.
Arrestimi është bërë i domosdoshëm për shkak të ekzistencës së provave të rënda të fajësisë ndaj të dyshuarit, për veprën penale të vrasjes.
Për më tepër, u identifikua rreziku real i arratisjes së personit të arrestuar në vendin e tij të origjinës dhe që të dëmtoheshin provat. Kjo, pasi nga përgjimet rezultonte e qartë se i arrestuari i kishte thënë bashkëshortes së tij që t'u jepte hetuesve deklarata të pavërteta në lidhje me praninë e tij në shtëpi në mbrëmjen e vrasjes, si dhe rreziku i përsëritjes së krimit për shkak të vështirësive financiare që shqiptari kishte kohët e fundit, tha komandanti provincial i Karabinierëve të Venecias, kolonel Marco Aquilio.
I arrestuari u dërgua në burg në Santa Maria Maggiore.
S.B/A.Q/Shqiptarja.comKomente

