ROME - Presidenti italian, Giorgio Napolitano i besoi sot detyrën për formimin e një qeverie të re të Italisë, Pier Luigi Bersanit, pasi në zgjedhjet e 24 dhe 25 shkurtit asnjë parti nuk ka fituar një shumicë në Parlament.

Pas 48 orë konsultimesh me të gjithë liderët e partive, atë të Lëvizjes së 5 Yjeve, Beppe Grillo dhe Berlusconin e PDL-së, Napolitano deklaroi se ia dha këtë mundësi Bersanit, kreut të forcës së parë politike në vend, pasi ai ka një mazhorancë në Dhomën e Deputetëve. Partia Demokrate (PD, e majtë) ka marrë shumicën absolute në Dhomën e Përfaqësuesve, por jo në Senat.

“Kam ngarkuar Bersanin për të formuar qeverinë e re dhe për të verifikuar nëse ka besimin e Parlamentit”, -ka thënë Presidenti Napolitano, i cili më tej ka shtuar: “Sot nis një faze vendimtare për t’i dhënë Italisë një qeveri të re. Detyra që i kam dhënë Bersanit ndërton hapin e parë të një rruge që duhet të na çojë sa më shpejt të jetë e mundur në arritjen e objektivit. Presidenti Napolitano ka urdhëruar që të përballen problemet që mund të ketë lindja e një legjislature normale duke kujtuar se stabiliteti institucional është po aq i rëndësishëm sa ai financiar”.

Ndërsa kreu i PD-së, Pier Luigi Bersani, pas këtij vendimi deklaroi i bindur se puna e tij për rimëkëmbjen e Italisë, fillon nga ky moment. “Shpresoj që të vazhdoj me reforma sociale për rimëkëmbjen e vendit për të hequr nga recensioni Italinë. Që tani do filloj”, tha Bersani. Bersani ka shtuar se do të fillojë menjëherë nga puna dhe negociatat, por ka sqaruar se është shumë e vështirë. Bersani ka thënë se është i vendosur dhe ekuilibruar.

Tashmë mbetet që Bersani të vazhdojë bisedimet me liderët e tjerë politikë, për të mundësuar koalicionin që do të formojë qeverinë e re. Mundësitë më të mëdha për arritjen e një marrëveshjeje janë me partine e Berlusconit, i cili është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar, ndryshe nga Beppe Grillo i Lëvizjes 5 Yje, i cili përjashtoi mundësinë e një koalicioni qeverisës.

Vendimi i sotëm i presidentit italian vjen pas dy ditësh bisedime me liderët e partive kryesore në vend.

Me këtë vendim, Napolitano shmangi zgjedhjet e parakohshme që mund të zhvilloheshin në qershor, duke i dhënë një shans tjetër Italisë qe të shkojë përpara me miratimin e reformave ekonomike të nevojshme për të reduktuar borxhin dhe për të nxjerrë vendin nga recesioni dhe për të reduktuar papunësinë.

PAK NGA PIER LUIGI BERSANI
Asnjëri nuk ishte i lumtur sesa Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Pier Luigi Bersani, natën që Silvio Berluskoni la detyrën si kryeministër në nëntor 2011. Ai doli në rrugë së bashku me qindra e mijëra mbështetës për të festuar një epokë të re në politikën italiane.

Bersani si kandidat për kryeministër i koalicionit “Italia e mira e të gjithëve”, ka punuar ethshëm në fushatën e tij elektorale për të hapur një fazë të re të rimëkëmbjes së vendit, në selinë e kryeministrisë, në pallatin Chigi. “Deri tani kemi bërë një betejë të mirë dhe s’kemi treguar përralla dhe nuk do t’i tregojmë dhe se kemi besimin se Italia do t’ia dalë mbanë dhe në këto zgjedhje do të triumfojmë”, -është shprehur Bersani.

Djali i një mekaniku i cili u rrit pranë qytetit verior të Piacenza, Bersani ka treguar imazhin e tij provincial dhe është zotuar se në primare e qeverisë së re do të jenë zgjidhjet e shqetësimeve të qytetarëve të zakonshëm.

Redaksia Online

(Gre.M/l.c/Shqiptarja.com)