Presidenti i ri Italian Sergio Mattarela ka vendosur të ruajë traditën edhe pasi u zgjodh president. Në ditën e parë të punës si kryetar shteti, ai ka shkuar në Kishën e Apostujve të Shenjtë në qendër të Romës për të marrë pjesë në meshë.

Më pas 73-vjeçari nga Palermo ia ka lejuar vetes të lërë Pandan e vjetër gri me të cilën ka udhëtuar shpesh këto ditë për të bërë një shëtitje në qendër të Romës ku u prit me duartrokitjet e atyre që i dolën para.

Ndërsa pasdite ka zgjedhur të konsultohet me 2 paraardhësit e tij për të ndarë peshën e shqetësimeve të rolit të tij si president. Pas një bisede të gjatë dhe të dashur telefonike me Carlo Azeglio Ciampi, Mattarella është drejtuar për në shtëpinë e paraardhësit të tij Giorgio Napolitano, në një takim privat që zgjati mbi një orë të cilin Mattarella e përmblodhi me një fjali: “Napolitano me uroi për 7 vitet e ardhshme, ndërsa unë e falënderova për atë që ka bërë në 7 vjet”.

Pas vizitës, Mattarella ka shkëmbyer një përqafim të ngrohtë me Napolitanon, shenjë e dorëzimi formal të detyrës nga njëri president tek tjetri.