Itali- Ishte kthyer në makthin e banorëve për grabitjen e banesave, arrestohet i armatosur në ndjekje 31-vjeçari shqiptar në Itali, arratisen dy bashkëpunëtorët e tij.
Policia e Salernos njoftoi lokalizimin dhe prangosjen e Krenar Keshit, i cili për të shpëtuar nga prangat iu desh të përplaste dy patrulla dhe të plagoste 4 efektivë duke i ngritur në ajër me mjetin e tij të vjedhur. Operacioni u bë në “Via Podgora”, në lagjen ‘Mariconda’ dy ditë më parë (6 Shkurt), teksa besohet se pas qëndron një bandë e organizuar ‘skifterësh’ shqiptarë.
Gjatë ndjekjes së rrezikshme nëpër rrugë nga policia, shqiptari përplasi edhe një makinë të efektivëve, duke dëmtuar një prej tyre.

I dyshuari posedonte edhe një armë pistoletë të mbushur, që nuk e përdori gjatë ndjekjes, por me të cilën kryente grabitjet dhe terrorizonte banorët e zonave në Salerno, Agro Nocerino dhe Cava de Treni. Gjithashtu atij iu gjetën edhe sende të vjedhura.
Meshi dyshohet se është pjesë e një bande që prej muajsh ka përhapur terrorin në këto rajone.
Media e vendit fqinj informon se në momentin që efektivët iu afruan për kontroll, shqiptari ndezi makinën dhe i dha gaz. Madje iu desh të përplaste dy patrulla derisa të izolohej nga një prej karabinierëve në aksion. Të paktën 4 efektivë raportohen të plagosur, mes të cilëve edhe një karabinierë.
Policia tha se edhe mjeti që përdorte shqiptari është i vjedhur, teksa në brendësi të saj u konstatuan pistoleta e kalibrit 7.65, malli i vjedhur, mjete që përdoreshin për plaçkitje, një radio marrëse-dhënëse që përdorej për lidhje me të paktën 2 nga anëtarët e grupit, që duket se u arratisën gjatë kontrolleve në “Parco degli Aranci”.
Hetimet nisën pas denoncimit të vjedhjes së një makine tip ‘Alfa Romeo Giulietta’, me ngjyrë të bardhë, në Salerno. Mënyra e veprimit të bandës përfshinte ndryshimin e vazhdueshëm të targave të vjedhura, duke e bërë të vështirë identifikimin e mjetit.
Kamerat e vëzhgimit me video incizuan në disa raste tre individë shtatlartë, me fytyrë të mbuluar dhe të pajisur me fenerë për të lëvizur në errësirë. Hipoteza më e pranuar gjerësisht nga hetuesit është se grupi është pjesë e një rrjeti më të madh kriminelësh, që operojnë midis Napolit të Veriut, Caivano dhe Caserta.
Tashmë hetuesit po analizojnë materialin e mbledhur për të rindërtuar të gjithë tablonë kriminale dhe për të identifikuar anëtarët e tjerë të bandës.
Komente

