ITALI -Kryeministri italian, Enrico Letta deklaroi sot se qeveria e tij po përballej me një ''garë kundër kohës''.

Letta ka bërë të dielën betimin në krye të një ekzekutivi të gjerë koalicioni mes të majtëve dhe të djathtëve në Itali që i dha fund ngërçit politik dy-mujor pasi zgjedhjet elektorale të muajit shkurt nuk rezultuan në asnjë fitues të qartë, ndërkohë që vendi po përballet me recesionin më të gjatë në këto 20 vitet e fundit.

"Qeveria po përballet me një garë të fortë kundër kohës", deklaroi ai në Romë pas rikthimit të tij nga një tur evropian, gjatë të cilit zhvilloi takime me liderët kryesorë të Evropës.

"Kemi humbur shumë kohë tashmë dhe të tjerët nuk do të na presin'', shtoi ai.

"Do të na duhet të ndërmarrim hapa dhe vendime tepër komplekse në një të ardhme shumë të afërt dhe duhet të tregojmë vendosmëri në marrjen e tyre sepse kemi shumë objektiva ndërkombëtare tepër të rëndësishme të cilat do të na duhet të gjejmë rrugën më të mirë për t'i arritur në një mënyrë të pagabueshme dhe të domosdoshme", përfundoi kreu i qeverisë së re italiane, Enrico Letta
(atsh/sg/shqiptarja.com)