Monti nisi konsultimet me partitë për të formuar kabinetin e ri dhe programin qeveritar, ndërkohë që edhe bursa e Milanos u hap pozitivisht me një rritje prej 1.7 %.
Takimet nisën rreth orës 10:00 me përfaqësues të grupeve parlamentare. Kalendari që do të ndiqet do të jetë pak a shumë ai i presidentit të Republikës. Në fillim do të marrin pjesë grupet e vogla ndërsa pasdite do të jetë “l’Italia dei valori” dhe “La Lega”. Nesër do të zhvillojnë takime me Popolo della Liberta të Berluskonit. Qëllimi është të mbyllen këto takime në dy ditë në mënyrë që deri të premten të arrihet formimi i qeverisë, e cila do t’i nënshtrohet më pas votbesimit të dhomës së parlamentit .
Lideri i partisë “Italia dei Valori” Antonio di Pietro deklaroi se të flasësh tani për kushte "është e papërshtatshme, për më tepër bëhet fjalë të gjetur përgjegjësinë për të ndërtuar vendin".
MONTI: NE ITALI RRITJE E BARAZI SOCIALE
Ish-komisioneri i Bashkimit Evropian pritet të formojë një qeveri që do të ketë detyrën të vërë nën kontroll krizën e borxhit që ka përfshirë kontinentin dhe po godet tregjet globale.
"Duhet të bëjmë shumë përpjekje për të shëndoshur gjendjen financiare, me kujdes të vecantë për barazinë sociale. Ka shumë aspekte emergjente, të cilat do t’i kapërcejmë me punën tonë të përbashkët. Emrat, që kanë qarkulluar deri tani për ministra në media, janë fantazi. Që neësr (sot) do të filloj konsultimet për qeverinë e re", deklaroi dje kryeministri i sapoemeruar Italian.
Monti ka siguruar mbështetjen e një grupi të gjerë bankierësh, politikanësh dhe analistësh ndërkombëtarë për aftësitë e tij si negociator dhe ekonomist, megjithëse nuk ka pasur asnjëherë detyrë politike si i zgjedhur. Ndryshe nga Silvio Berluskoni, një manjat i prirur për sjellje të bujshme dhe për t’u vendosur në qendër të vëmendjes, ai është cilësuar si një person i matur dhe i rezervuar.
NAPOLITANO: ESHTE MOMENTI I PROVES
“Ka arritur momenti i provës, nuk është koha për mbeturina armiqësore”- kështu shpjegoi dje presidenti Napolitano ngarkimin e Montit për emërimin e qeverisë së re. “Nuk bëhet fjalë për një ndryshim të rezultatit të zgjedhjeve të 2008 por vetëm “dhënies jetë të një qeverie që mund të bashkojë forcat e ndryshme politike në një përpjekje të jashtëzakonshme që kërkon situate aktuale emergjente financiare dhe ekononomike.” Deklaroi Napolinato.
BE MIREPRET MONTIN
Edhe Bashkimi Europian mirëpriti emërimin e Montit në postin e kryeministrit të ri, duke e cilësuar një sinjal inkurajues. Presidenti I KE-së, Hoze Manuel Barroso dhe presidenti i këshillit Europian Herman Van Rompuy shtuan se Brukseli do të vazhdojë të monitorojë masat e marra nga Italia”.
(s.gera/shqiptarja.com)