ITALI - Në burg, përveç mbështetjes shpirtërore dhe ndihmës materiale, motra (murgesha) Anna Donelli përcillte mesazhe, udhëzime dhe urdhra nga organizata kriminale. Mjeku, jashtë orarit të punës, mjekonte dhe trajtonte të plagosurit gjatë operacioneve të tyre. Nga ana tjetër, politikani premtonte kontrata publike në këmbim të votave. Të tre këta persona janë vendosur në arrest shtëpie, ndërsa në të njëjtën situatë gjenden edhe tetë të tjerë. Për katërmbëdhjetë të tjerë, situata është më e rëndë, pasi janë dërguar në burg.
Akuza që Drejtoria Antimafia e Brescias u ka ngritur këtyre individëve është ajo e përfshirjes në një organizatë kriminale mafioze që kishte për synim kryerjen e një sërë krimesh: zhvatje, fajde, riciklim automjetesh, korrupsion të zyrtarëve publikë, blerje votash, lëshim faturash false, si dhe trafik droge e armësh, përfshirë pistoleta Glock dhe mitralozë Uzi.
Sipas Prokurorisë së Brescias, që kërkoi masat e arrestit, dhe gjyqtarit Andrea Guerrerio, organizata kishte arritur të marrë kontrollin e disa aktiviteteve ekonomike, siç ishin ëmbëltoret dhe një sërë kontratash publike, shërbimesh dhe lejesh.
Në krye të kësaj organizate mafioze, e cila vepronte kryesisht midis Fleros dhe Castel Mellas, ndodhej “santisti” Stefano Terzo Tripodi, 64 vjeç, me origjinë nga Sant’Eufemia e Aspromontes dhe rezident në San Zeno sul Naviglio. Ai drejtonte operacionet kriminale dhe ekonomike dhe mbante kontakte me “Shoqërinë e Madhe”, veçanërisht me klanin Alvaro të Sinopolit.
Krah i djathtë i Tripodit ishte djali i tij, Francesco. Sipas hetuesve, përveç drejtimit të aktiviteteve të paligjshme, 42-vjeçari kishte për detyrë të vendoste ndëshkimet për anëtarët që shkelin rregullat dhe të mbante kontakte me grupet mafioze të tjera në Lombardi. Ndër njerëzit e besuar të familjes Tripodi ishin Loris Maraffini, Claudio Ruggeri, Pietro Di Bella, Andrea Costante dhe Vincenzo Maria, të cilët kryenin detyra si sigurimi i përfitimeve nga krimet fiskale, instalimi i sistemeve të mbikëqyrjes për të shmangur policinë dhe riciklimi i automjeteve të vjedhura.
Zhvatjet realizoheshin përmes kërcënimeve klasike mafioze, të dokumentuara nga përgjimet. Në një rast, në transkriptet e përgjimeve shkruhet: “I nxorëm automatikët dhe i çuam poshtë, u thamë: tani hapni gropat se do t’ju fusim aty brenda.”
Motra Anna Donelli luante një rol vendimtar duke vepruar si ndërmjetëse mes drejtuesve të organizatës dhe të burgosurve. Në përgjimet e kryera, drejtuesit e grupit e përshkruajnë atë si “murgesha” që dërgonte mesazhe për llogari të tyre. Gjyqtari ka arritur në përfundimin se ajo ishte e vetëdijshme për rolin që luante, duke përmendur se në një rast i kishte thënë një të afërmeje të njërit prej krerëve se “miqtë e saj” do ta zgjidhnin problemin e saj pas një aksidenti.
Një tjetër personazh kyç ishte Mauro Galeazzi, ish-kandidat për kryetar bashkie në Castel Mella në 2021, i cili, sipas hetuesve, kishte marrë fonde të paligjshme nga Tripodi për fushatën zgjedhore. Në këmbim, ai kishte premtuar se do t’i siguronte disa kontrata, përfshirë ndërtimin e një shtëpie për të moshuarit.
Edhe mjeku Giovanni Acri, këshilltar komunal i Fratelli d’Italia, kishte lidhje me organizatën. Sipas Prokurorisë, ai nuk ofronte vetëm ndihmë mjekësore për anëtarët e plagosur, por kishte kërkuar ndihmë nga Tripodi për të hapur një qendër për emigrantë në provincën e Reggio Calabrias.
Përveç arrestimeve, janë sekuestruar rreth 1.8 milionë euro dhe janë kryer kontrolle në të gjithë Italinë, përfshirë qytete si Brescia, Reggio Calabria, Milano, Viterbo, Como, Lecco, Varese, Verona dhe Treviso./ La Repubblica
Anna Donelli
Murgesha Anna Donelli, e cila kishte punuar për shumë vite në burgje dhe ishte e njohur për aftësinë e saj për të komunikuar me të rinjtë, u arrestua gjatë një operacioni kundër ‘Ndranghetës në Brescia. Ajo konsiderohet “në dispozicion të organizatës për të siguruar lidhjen me anëtarët e burgosur”.
Pesëdhjetëvjeçare, motra Anna ishte një figurë e njohur në botën e burgjeve dhe në organizatat që ndihmojnë në rehabilitimin social të të rinjve të dënuar. Gjatë një interviste në vitin 2023 në burgun e San Vittore, ajo tha: «Të rinjtë kanë nevojë për dashamirësi dhe besim, por edhe për rregulla të qarta. Shumë prej tyre përfundojnë në burg për gjëra të kota dhe u mungojnë rregullat bazë. Më prek që kur i takoj pas daljes nga burgu, më kërkojnë të përshëndes e të falënderoj policët që i kanë trajtuar me respekt. Ata, që jashtë nuk kanë pasur figura prindërore, e shohin atë figurë te policët».
Motra Anna nuk është e njohur në Kurien e Milanos, pasi i përket kongregatës së motrave të bamirësisë dhe nuk është emëruar nga kryepeshkopi. Thuhet se e urrente të vishte fund dhe ishte quajtur “Kodrina” pasi gjykonte ndeshjet e futbollit gjatë orëve të ajrimit në burgjet e Milanos dhe Brescias. «Djemtë e San Vittore, italianë dhe të huaj, luajnë futboll në një oborr të vogël dhe më duan shumë. Mjafton t’u bëj me sy dhe kuptojnë menjëherë. Ndonjëherë humbas ndonjë gol për shkak të muraleve atje, dhe më tërheqin vëmendjen», tregonte ajo në një intervistë televizive. «Kam ndier thirrjen për mision rreth moshës 17-vjeçare. Më magjepste Jezusi që shëtiste nëpër rrugë dhe i donte të harruarit. Edhe unë e ndjeja veten pjesë të kësaj ideje».
Arrestimi i saj ka shkaktuar habi në botën e vullnetarëve të burgjeve. Një vullnetar tha: «Nëse arrestuan atë, mund të arrestojnë dy të tretat e vullnetarëve. Për aq sa e njoh, ajo është shumë e aftë dhe e sjellshme. Kam qenë vullnetar për 23 vjet dhe shpesh të afërmit na telefonojnë për të pyetur rreth të burgosurve. Pastaj, ndoshta një mesazh i thjeshtë ka një kuptim tjetër. Por, edhe Shën Pjetri e mohoi Jezusin tre herë! Nuk e prisja këtë nga ajo».
E fortë dhe me origjinë modeste, motra Anna kishte humbur motrën binjake në një aksident automobilistik. Pas kësaj ngjarjeje, ajo mendoi se duhej të jepte më shumë. «Fuqia ime vjen nga ai dhimbje, që ndodhi dhjetë vjet pas betimit si murgeshë. Që atëherë kam fituar një energji të madhe shpirtërore. Bëj “familje” me të rinjtë pa prindër edhe për këtë arsye».
Në vitin 2009, ajo u takua me don Claudio Burgio, kapelanin e burgut të të miturve Beccaria në Milano, një institucion shumë i vështirë për t’u menaxhuar. Me të, ajo punonte në komunitetin Kayròs, ku strehoheshin të rinjtë që dilnin nga burgu. Shpesh sillte në burg mesazhe urimi nga familjet e tyre. «Nuk bëj asgjë të veçantë, thjesht besoj te të rinjtë». Pikërisht kjo veprimtari duket se ka qenë burimi i problemeve të saj ligjore./ La Repubblica