ITALI - Rojet bregdetare Italiane kanë shpëtuar rreth 2,164 emigrantë të paligjshëm që tentonin të arrinin bregdetin italian nëpërmjet 12 anijeve të vogla, teksa udhëtonin nga jugu i Lampedusës. Sipas burimeve zyrtare emigrantët do të transportohen në orët në vazhdim në portet siciliane.

Pasditen e 15 shkurtit katër trafikantë të qenieve njerëzore kërcënuan me armë zjarri një anije patrullimi të rojeve bregdetare italiane, e angazhuar në operacionin e shpëtimit në ujërat e Libisë, rreth 50 milje detare nga Tripoli.

Ndërkohë po nga Libia në mesnatë në portin Augusta në Sicili mbërriti anija me në bord stafin e ambasadës italiane, e evakuuar për arsye sigurie. Autoritet italiane i bënë thirrje të gjithë qytetarëve italianë në Libi të linin vendin pasi situata atje është jashtë kontrolli.

Ambasada italiane ishte e fundit prezente nga përfaqësuesit diplomatikë evropianë ende në vend.

Ministrja e mbrojtjes italiane Roberta Pinotti lajmëroi mbi një mision të mundshëm ushtarak të Italisë në Libi, por kreu i këshillit qeveritar Matteo Renzi deklaroi se është ende e mundshme gjetja e një zgjidhje diplomatike, duke kërkuar ndërhyrjen e Kombeve të Bashkuara.



(v.gj/shqiptarja.com)