Një shpërthim masiv ndodhi pak jashtë Colleferro-s, në provincën e Romës, në Itali.
Sipas mediave italiane, shpërthimi ndodhi në një fabrikë aty pranë (më parë Simmel, tani në pronësi të Knds Ammo Italy).
Ish-fabrika Simmel Difesa, tani është pjesë e grupit Knds Ammo Italy, që prodhon municione të kalibrit të mesëm dhe të madh për mbrojtjen tokësore dhe detare, si dhe lëndë djegëse të ngurta për automjete hapësinore.
Incidenti thuhet se e ka zanafillën në repartin e "shtypjes së barutit". Zjarri filloi nga një ngjeshës, një makinë që përdoret për të shtypur barutin. Temperaturat e larta dhe era më pas kontribuan në zgjerimin e perimetrit të flakëve, të cilat çuan më pas në shpërthim.
Zjarrfikësit dhe karabinierët po përpiqen të afrohen për të kontrolluar nëse ka të lënduar apo viktima, por flakët janë ende shumë të fuqishme, duke pamundësuar hetimet.
Punëtorët e uzinës janë numëruar dhe nuk raportohen të zhdukur. Ndërkohë, trafiku në rrugët përreth është bllokuar për të parandaluar çdo rrezik. Ndërkohë paralelisht po punohet edhe për shuarjen e flakëve.
Ndërkohë kryetari i bashkisë së Colleferros, Giulio Calamita, tha se dëmet e shkaktuara nga shpërthimi janë të kufizuara dhe se situata është nën kontroll.
Ai theksoi më tej se po prisnin një konfirmim zyrtar se nuk ka viktima apo të lënduar.
"Situata është nën kontroll, po presim konfirmim zyrtar se nuk ka viktima apo të lënduar", tha Giulio Calamita.
"Ishte një shpërthim masiv që u ndje në të gjithë qytetin. Operacionet për të shuar zjarret e mbetura janë duke u zhvilluar. Lagjja më e afërt raportoi dëme të kufizuara, me disa dritare të thyera, gjë që është normale."
"Për fat të mirë", shtoi kryebashkiaku, “shpërthimi ndodhi gjatë një periudhe mbylljeje të biznesit, përndryshe, do të kishte qenë një "tragjedi".










Komente
Komento