Një 31-vjeçar shqiptar rezulton i zhdukur në Itali, ndërsa autoritetet kanë zhvilluar kërkime intensive për gjetjen e tij në zonën mes Roncofreddos dhe Soglianos, në provincën e Forlì-Cesena.

Bëhet fjalë për Denaldo Maxhallakun, 31 vjeç, kontakti i fundit me të cilin, sipas raportimeve të mediave italiane, është regjistruar më 7 tetor 2026, rreth orës 20:30, në zonën e Savignano sul Rubicone.

Të enjten, më 8 tetor, është gjetur automjeti i tij, një Fiat Punto e zezë, i djegur plotësisht në një zonë pranë lumit Rubicone, në territorin e Roncofreddos. Zbulimi i makinës ka ngritur shqetësime për fatin e të riut, ndërsa deri në momentin e raportimeve nuk kishte të dhëna të konfirmuara për vendndodhjen e tij.

Kërkimet janë zhvilluar përgjatë rrugës provinciale 85, e njohur si Fondovalle Rubicone. Në operacion janë angazhuar karabinierët e Roncofreddos dhe Savignanos, zjarrfikësit e Forlì-t, ekipe me qen kërkimi, personel i shërbimit të emergjencës Croce Verde të Gambettolas dhe një numër i madh vullnetarësh.

Sipas mediave italiane, zona përreth automjetit është kontrolluar në mënyrë të imtësishme, por pranë makinës së djegur nuk janë gjetur gjurmë të 31-vjeçarit.

Familjarët kanë denoncuar zhdukjen pranë autoriteteve italiane, ndërsa kërkimet vijojnë për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur me shqiptarin.

Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar për fatin e Denaldo Maxhallakut. Gjithashtu, mbeten të paqarta rrethanat e zhdukjes dhe shkaqet që çuan në djegien e automjetit. Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.