Brianza- Policia italiane ka finalizuar një operacion të rëndësishëm në provincat e Monzës dhe Milanos, duke konkluduar në sekuestrimin e një ngarkese prej 93 kg kokaine të pastër.
Në pranga deri tani ka rënë një shqiptar i dyshuar, 31-vjeçar, i përfshirë në një rrjet të organizuar të dyshuar kriminal, kurse vlera e narkotikut arrin në të paktën 4 mln euro në tregun e pakicës, nëse do arrihej të shitej në doza.
Ndërhyrja sipas medias italiane, u bë në një apartament në Seregno, zona e Brianza dhe u konfirmua ditën e djeshme (17 Shtator). Operacioni nisi në kuadër të një hetimi për trafikun dhe shitjen e drogës në sheshet e provincave Monza dhe Milano.
Operacioni i Drejtorisë së Policisë së Milanos nisi gjatë natës mes të dielës dhe të hënës, në kuadër të një hetimi për trafikun dhe shpërndarjen e drogës në sheshet e provincave të mëdha veriore, të koordinuar nga Prokuroria e Monzës, shkruan "Il Giorno".
Deri tani emri i të arrestuarit nuk është publikuar, pasi operacioni është ende në proces dhe hetimet aktive, pasi po kërkohet për drejtuesit e mundshëm të kartelit ku bënte pjesë i ndaluari.