Një surprizë e bukur mbërriti ditën e sotme në spitalin San Paolo, në Milano ku 4 superheronj kanë vizituar repartin pediatrik, të pacientëve të vegjël me COVID-19.

Katër superheronj i vizituan në dhomat e tyre të spitalit, duke mbërritur nga dritaret. Kapiten Amerika, Spiderman, Ironman e Hulk i kanë përshëndetur pacientët e vegjël, të cilët janë lumturuar pamasë.

“Gjatë valës së parë të pandemisë, njerëzit i quanin superheronj mjekët dhe infermierët”, tha drejtori i përgjithshëm i spitalit, Matteo Stocco.

“Tani Hulku e Spidermani erdhën në spital për t’i falenderuar për forcën dhe profesionalizimin e treguar gjatë gjithë vitit”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se në të njëjtën kohë, kjo ishte dhe një surprizë mjaft e këndshme për fëmijët e sëmurë.

Gjeste të tilla në kohë të vështira pandemie, janë një shenjë solidariteti njerëzor.