ROMË - Ministri i Brendshëm i qeverisë së re, Saimir Tahiri ka qenë sot në Romë për një takim me homologun e tij italian, Angelino Alfano. 

Ndërkohë, dje Tahiri ka marrë pjesë në ditën e parë të mbledhjes informale të qeverisë së re në Vlorë, në të cilën ka munguar sot. I kontaktuar në linjë telefonike nga “Shqiptarja.com”, Tahiri nga Roma e cilësoi “një takim të shkëlqyer dhe mjaft frymëzues atë me ministrin e Brendshëm të Italisë, Angelino Alfano”.
 
Ai shpjegoi më tej se takimi u bë për të forcuar urat e bashkëpunimit në luftën ndaj krimit si një sfidë e përbashkët e të dy vendeve, pasi "një Shqipëri më e sigurt do të thotë edhe një Itali më e sigurt".
 
Në të njëjtën kohë, ai mori dhe mbështetjen e Alfanos për integrimin e Shqipërisë. “Alfano u angazhua personalisht për të mbështetur Shqipërinë në të gjitha strukturat e BE-së, takimet dypalëshe me homologët e tij të BE, si dhe mbështetje të plotë për Shqipërinë në takimin e ardhshëm të Partive Popullore Europiane”.
 
ALFANO, MBËSHTETJE SHQIPËRISË PËR STATUSIN
“Ministri Alfano shprehu mbështetjen e plotë për qeverinë e re, për marrjen e statusit të vendit kandidat në vjeshtë dhe rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian”. Alfano u angazhua personalisht për të mbështetur Shqipërinë në të gjitha strukturat e BE-së, takimet dypalëshe me homologët e tij të BE, si dhe mbështetje të plotë për Shqipërinë në takimin e ardhshëm të Partive Popullore Europiane", shpjegoi detaje nga takimi Tahiri.
 
SHQIPËRI MË E SIGURT DO TË THOTË EDHE ITALI MË E SIGURT
“I shpreha ministrit Alfano shqetësimin tonë për situatën e sigurisë publike në vend, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike duke i shprehur bindjen se një Shqipëri më të sigurt, ka efekt të menjëhershëm në sigurinë rajonale dhe sigurinë e vetë Italisë", shtoi Tahiri.
 
NE, SFIDË TË PËRBASHKËT KUNDËR KRIMIT
"E sigurova gjithashtu për vullnetin e Kryeministrit Rama, Qeverisë dhe veçanërisht të Ministrisë së Brendshme për të rikonceptuar luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve si sfida të përbashkëta e për t’i adresuar ato me prioritet maksimal. E konsideruam sfidë të përbashkët intensifikimin e luftës kundër trafiqeve me synim daljen sa më shpejt të Shqipërisë nga klasifikimi "vend në vazhgim" në renditjen e Departamentit Amerikan te Shtetit", u shpreh Tahiri, i pyetur nga "Shqiptarja.com" nëse kjo vizitë bëhej, pasi qeveria e re ndien nevojën e një mbështetjeje më të madhe italiane për të luftuar krimin dhe vënë rendin dhe sigurinë në vend.
 
ITALIA, LOGJISTIKË PËR POLICINË SHQIPTARE
Sipas Tahirit, "ministri Alfano shprehu edhe gatishmërinë për të mbështetur Policinë e Shtetit me ekspertizë profesionale, logjistike dhe infrastrukturë, duke fuqizuar urat e bashkëpunimit dhe misionet italiane, që asistojnë Policinë Shqiptare sot".
  
TAKIM I DYTË NË SHTATOR
"Konsideruam të nevojshëm një takim të dytë në shtator për të rishikuar konkretisht marrëveshjet dypalëshe në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit policor, si dhe një plan pune konkret, që do të diskutohet ndërmjet drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe homologut italian", shpjegoi Tahiri.

tahiri alfano
(Në foto: Nga takimi Tahiri-Alfano).

tahiri alfano
(Në foto: Nga takimi Tahiri-Alfano).

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)