ITALI – Njohja e pensioneve dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore të emigrantëve shqiptarë në Itali e Shqipëri do të jetë një nga çështjet që Ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj do të diskutojë me homologun e tij italian në Romë, ku ai gjendet sot.
 
Mediat italiane, duke cituar ministrin Veliaj kanë bërë të ditur se “pavarësisht kthesës pozitive të Shqipërisë vitet e fundit, prania e emigrantëvë shqiptarë në Itali mbetet e lartë, rreth 500 mijë.
 
Për kontributet e tyre dhe pensionet, por edhe për ato të punonjësve italianë në Shqipëri, Veliaj do të flasë me homologun e tij Poleti pasi “deri më sot nuk ka asnjë marrëveshje ndërmjet Romës dhe Tiranës për çështjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe përfitimet.
 
Për këtë arsye, në takimin tonë  unë do të doja t’i propozoja ministrit Poleti të fillojë të punojë për ta zgjidhur këtë çështje me një përfitim ekonomik për të dyja vendet.”
 
Është fakt se edhe italianët kanë zgjedhur Shqipërinë për të gjetur punë; bëhet fjalë jo vetëm për bizneset e vogla dhe të mesme që kërkojnë mundësi të reja, por edhe të sapodiplomuarit.
 
Në total, janë 19 000 italianë me leje pune në “Call center”, restorante, në sektorë të energjisë dhe infrastrukturës, në shërbime, në fushën e komunikimit etj. 
 
Edhe këtë fakt e ka bërë të njohur Ministri shqiptar i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj që  tha se tani “era ka ndryshuar.
 
Njëzet e tre vjet pas përfundimit të diktaturës , tranzicioni i gjatë  i ka dhënë rezultatet e veta. Ne kemi për qëllim që të çojmë Evropën në Shqipëri dhe Shqipërinë në Evropë , ''-  është shprehur ai me shaka.
 
Redaksia online
(armanda shtembari/Shqiptarja.com)