ITALI- Fabrizio Piscitelli lideri i tifozëve të Lacios, i njohur me nofkën "Diabolik" është vrarë me një plumb në kokë dhe dyshohet se autore është mafia shqiptare. Krimi ka ndodhur në orët e paradites në lagjen Tuscolana, në Parco degli Acquedotti në Romë. Lideri i tifozëve të Lacios njihej gjithashtu edhe si shitës droge. Pikërisht kjo është edhe pista në të cilën po heton policia italiane.
Një dëshmitar ka thënë për policinë se autori i është afruar ‘Diabolik’ dhe e ka qëlluar me plumb në kokë. Ai ka qenë i veshur si vrapues dhe është zhdukur mes njerëzve që ndodheshin në park, duke humbur gjurmët. Sipas mediave italiane është përjashtuar një hakmarrje në botën e futbollit. ‘Diabolik’ kishte martuar vajzën tij një muaj më parë. Po hetohet për shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje.