Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë një koment ironik ndaj kombëtares së Italisë, duke vënë në dukje vështirësitë e vazhdueshme të 'të kaltërve' për t’u kualifikuar në Kupën e Botës.
Gjatë një interviste për “CazéTV”, kreu i qeverisë botërore të futbollit foli për mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të Botërorit, pas kalimit në formatin me 48 skuadra. Në këtë kontekst, ai nuk kurseu një batutë ndaj katër herë kampionëve të botës.
“Së pari duhet të shohim si do të shkojë kjo Kupë Bote me 48 kombëtare. Është një event shumë i madh. Kemi diskutuar për një Botëror me 64 kombëtare, me një përfshirje edhe më të madhe në gjithë botën. Ndoshta Italia kualifikohet me 64 kombëtare. Kush e di, ndoshta e bëjmë me 228”, deklaroi Infantino me ironi.
'Një deklaratë e papërshtatshme'. Ky është vlerësimi që po qarkullon në Federatën Italiane të Futbollit (FIGC) pas fjalëve të Gianni Infantinos për Italinë.
“Ka qenë një deklaratë e papërshtatshme, një mungesë elegance që ka lënduar ndjenjat e të gjithë komunitetit sportiv italian”, është vlerësimi që vjen nga qarqet e Federatës së Futbollit. Ndërkohë, presidenti në largim, Gravina, mbetet në detyrë vetëm për të kryer veprimet që nuk mund të shtyhen.
“Në fitore dhe në humbje”, përfundojnë burimet e federatës, “futbolli mëson vlera që nisin para së gjithash me respektin.”
Më herët kishte reaguar edhe ministri italian për Sportin dhe Rininë, Andrea Abodi.
“Një gjë janë informacionet e raportuara dhe një gjë tjetër është ta dëgjosh drejtpërdrejt. Preferoj që fillimisht të verifikoj faktet dhe më pas të shprehem. A do të flas me të? Mendoj dhe shpresoj që po, pavarësisht angazhimeve të tij. Do të përpiqem ta bëj, sepse më intereson të di se cili është mendimi i tij në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha ai.
Italia mbeti jashtë Kupës së Botës për herë të tretë radhazi, pas mungesave në edicionet e fundit. “Axurrët” u eliminuan në fazën “play-off” fillimisht nga Suedia, më pas nga Maqedonia e Veriut dhe së fundmi nga Bosnjë-Hercegovina, duke zhgënjyer tifozët dhe opinionin sportiv në vend.
Komente









