ITALI - Pas dështimit të kreut të Partisë Demokrate Pier Luigi Bersanit, për gjetjen e emrave dhe votave të duhura për krijimin e qeverisë së re, presidenti italian Giorgio Napolitano, ka filluar konsultimet e reja me liderit politikë nëse ka ende mundësi që të kapërcehet ky ngërç politik për të shmangur zgjedhjet e reja në vend.

Në raundin e ri të konsultimeve, Napolitano nuk arriti të gjej kompromis mes palëve për krijimin e qeverisë së re, duke sjellë nevojën e bisedimeve të tjera me liderët politikë. Lëvizja 5 Yjet e Beppe Grillos, komikut të shndërruar në politikan ka këmbëngulur në autonominë e qeverisjes. Lideri Grillo ka ritheksuar edhe sot se do të krijojë qeveri i vetëm, ndërsa përmes një telefonate që i kishte bërë presidentit Napolitano (pasi nuk ishte i pranishëm në takim) tha se “nuk e ka përmendur kurrë mundësinë e pranimit të një qeverie teknike”.

Lideri i bllokut të djathtë, kreu i PDL-së Silvio Berluskoni nga ana tjetër, deklaroi se partia e tij, ishte e gatshme të bashkëpunonte me Partinë Demokratike për krijimin e një koalicioni qeverisës, por refuzimi ka ardhur nga Bersani.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne i bëmë të qartë presidentit se jemi ende në dispozicion për të mbështetur një qeveri koalicioni me Partinë Demokratike, Lidhjen e Veriut, dhe Lëvizja 5 Yje”, -tha për gazetarët ish kryeministri Italian pas takimit me presidentin Giorgio Napolitano.

Berluskoni tha se ishte dakord që edhe Bersani të ishte kryeministër i vendit dhe theksoi se çdo qeveri duhet të formohet nga partitë politike duke pasur parasysh edhe përvojën tragjike të qeverisë Monti.

Ndërsa Roberto Maroni, kreu i Ligës Veriore dhe një aleat i ngushtë i Berluskonit tha se do të ishte një mijë herë më mirë që të ketë zgjedhje të reja se sa një një tjetër qeveri teknokrate.

Dje në darkë Bersani i ka raportuar presidentit të vendit për vështirësitë që ka hasur në konsultimet me liderët politikë si dhe arsyet për mospranimin e kushteve të vendosura nga ata.

Tre forcat kryesore që kontrollojnë shumicën dërrmuese të mandateve si në Dhomë e Deputetëve ashtu edhe në Senat, PDL-ja, PD-ja dhe Lëvizja 5 Yje, kanë mbajtur qëndrime të ndryshme për aleancat me njëra-tjetrën.

Redaksia Online
(Gre.M/lc/Shqiptarja.com)