Legjenda e futbollit italian, Gianluigi Buffon, është pjesë e stafit të kombëtares së kaltër si kreu i delegacionit dhe pas eliminimit nga Bosnja në play-off-in e Kupës së Botës po mendon largimin nga ky post.

Lot dhe zhgënjim për Gianluigi Buffon, Leonardo Bonuccin e Gennaro Gattuson. Udhëtimi nisi në Bergamo, 6 muaj më parë, me një përqafim simbolik pranë pankinës. Dy prej tyre fituan Botërorin në Berlin dhe njëri Europianin në “Wembley”.

Një projekt që dukej i fortë, por tani shpërbëhet. Buffon e kishte paralajmëruar; nëse Italia nuk shkon në Botëror, largohet si drejtues i delegacionit të kaltër.

“Për vlerësime të sakta duhet kohë dhe sezoni mbyllet në qershor. Për tre muaj do të jem në dispozicion të federatës që më ka besuar…” Pra, një vendim i pashmangshëm po afrohet. Ai mbështeti Gattuson, i cili afroi Bonuccin në staf.

“Objektivi më i madh ishte Amerika dhe kjo dhemb shumë, rrezikon të na bëjë të mendojmë pa kthjelltësi. Këtu ndalem…”, shtoi Buffon. Pas dështimit në Zenica, një cikël mbyllet. Italia mbetet me lotët dhe shumë shpejt, edhe pa Buffon.


Lajmi kryesor:

Kupa e Botës 2026/ Drama e Italisë, Gravina reziston: A duhet të qëndroj si president? Bordi do ta vlerësojë, Gattuso duhet të vijojë si trajner