Kombëtarja e Iranit në futboll konfirmoi praninë në finalet e Kupës së Botës 2026, por Paolo Zampolli, përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Itali, është rikthyer te tema e pjesëmarrjes së mundshme të Italisë në Kupën e Botës e cila fillon më 11 qershor.

'Njeriu i Trump' shpjegoi në një intervistë me 'Gazzetta dello Sport' se "rregulloret e FIFA-s janë të gabuara në aspektin e zëvendësimit të një ekipi që nuk paraqitet dhe nëse Irani do të tërhiqej nga Kupa e Botës, Italia, e cila e ka fituar trofeun katër herë dhe është ekipi i renditur më mirë në FIFA nga ekipet e eliminuara, do të përmbushte kërkesat e duhura".

Pavarësisht se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka sqaruar se Irani do të marrë pjesë, Zampolli është i bindur se mund të ketë një shkëndijë shprese për të kaltrit.

"Çelësi është të kuptohet se çfarë kanë në mendje iranianët, gjë që është e vështirë t'u besohet. Tani ata thonë se ekipi do të vijë, por çfarë ndodh me tifozët e tyre të cilët janë shumë të papëlqyeshëm në Shtetet e Bashkuara duke pasur parasysh atë që po ndodh? Loja ka filluar".

Megjithatë, ekipi kombëtar aziatik e ka bërë të qartë se dëshiron "garanci për të shkuar me ndërgjegje të pastër".

Lidhur me mundësinë që një 'ripeshkim' i mundshëm do t’i ndante italianët, njeriu i Trump është i sigurt se “tifozët do t’i shikojnë ndeshjet edhe nëse kualifikimi nuk do të ndodhte në fushë”.

Sipas Zampollit, origjina italiane mund të jetë gjithashtu një avantazh dhe të lehtësojë vendimin përfundimtar të kreut të FIFA-s, Infantino, por thekson: "Unë nuk do të ushtroj më presion mbi të".

Kombëtarja italiane e futbollit u mposht nga Bosnje Hercegovina në Zenica, duke u eliminuar në play-off-in e Kupës së Botës, teksa ata nuk do jenë pjesë e grupeve për herën e tretë radhazi.