Qeveria italiane po përshpejton miratimin e një dekreti sigurie pas përplasjeve të dhunshme në Torino, ku mbetën të plagosur mbi 100 efektivë, ndërsa një polic u godit me çekiç nga protestues të maskuar, një sulm që kryeministrja Georgia Meloni e cilësoi si “tentativë vrasjeje”.

Polici i dhunuar është 29-vjeçari Alessandro Calista, pjesë e Njësisë së Lëvizshme të Policisë së Padovës. Ai u rrethua nga demonstrues të maskuar dhe u godit disa herë, përfshirë edhe me çekiç, derisa një efektiv tjetër ndërhyri me mburojë policie për ta nxjerrë nga turma e cila protestonte në mbështetje të qendrës sociale anarkiste Askatasuna, të cilës i është kërkuar të lirojë ambientet e saj. .

Calista pësoi disa dëmtime në kohë, por u largua nga spitali të dielën. Edhe një polic tjetër u shtrua në spitalin Molinette të Torinos.

Pas akteve të dhunshme të së shtunës, autoritetet italiane arrestuan tre persona, 22, 31 dhe 35 vjeç. 22-vjeçari nga provincia e Grossetos u arrestua dhe u identifikua nga pamjet filmike si një nga personat që sulmuan Calistën. Ai akuzohet për bashkëpunim në plagosjen e një funksionari publik gjatë një proteste për rendin publik, si edhe për grabitje, pasi i mori policit mburojën, pajisjet dhe maskën e gazit.

Disa ministra të qeverisë po kërkojnë që akuzat të ngrihen për tentativë vrasjeje dhe jo vetëm për sulm.

Ndërkohë, më shumë se 20 persona të tjerë u vunë nën hetim nga policia për akuza të ndryshme, përfshirë mbajtje armësh të papërshtatshme, rezistencë ndaj forcave të rendit dhe fshehje identiteti. Gjatë kontrolleve u sekuestruan çelësa metalikë dhe thika.

Sipas autoriteteve, në total u plagosën 108 efektivë të sigurisë, mes tyre 96 policë, shtatë oficerë të policisë financiare dhe pesë karabinierë.

Protestuesit hodhën shishe, gurë, mjete shpërthyese artizanale dhe bomba tymuese, i vunë flakën koshave të mbeturinave dhe një mjeti të blinduar policie, si dhe përdorën mobilie urbane dhe shtylla ndriçimi të shkulura si armë.

Policia tha se grupi më agresiv përbëhej nga rreth 1.500 protestues, përfshirë pjesëmarrës nga Franca dhe Europa Veriore, çka ka rritur shqetësimet për menaxhimin e rendit publik në prag të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.

Duke reaguar ndaj dhunës, kryeministrja Meloni e dënoi ashpër sulmin, duke e quajtur “tentativë vrasjeje”, term që e përsëriti edhe pas vizitës tek policët e plagosur në spitalin Molinette të dielën.

Ajo njoftoi se qeveria do të përshpejtojë një paketë sigurie që ishte tashmë në fazë përgatitore, me një mbledhje të planifikuar të hënën për të finalizuar masat, të cilat pritet t’i paraqiten Këshillit të Ministrave më vonë gjatë javës.

Masat që po shqyrtohen përfshijnë ndalim parandalues nga policia për të paktën 12 orë për autorët e dhunës së përsëritur, kufizime në shitjen e thikave për të miturit dhe zgjerim të së drejtës së vetëmbrojtjes, jo vetëm për policinë por edhe për qytetarët.

“Kur godet dikë me çekiç, e bën duke e ditur se pasojat mund të jenë shumë, shumë serioze. Kjo nuk është protestë, këto nuk janë përplasje. Kjo quhet tentativë vrasjeje”, tha Meloni të dielën.

Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi pritet të raportojë në parlament të martën për dhunën, të cilën zyrtarët e qeverisë e kanë cilësuar si “terrorizëm urban” dhe “tentativë vrasjeje”.

Zëvendëskryeministri Matteo Salvini kërkoi miratimin e menjëhershëm të paketës së sigurisë, duke e quajtur atë “kundërhelmin më të mirë për të ndalur menjëherë përpjekjen e ekstremit të majtë për të rikthyer dhunën në rrugët e qyteteve italiane”.

Liderët e opozitës e dënuan dhunën, por kritikuan qasjen e qeverisë. Kryetarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, i quajti sulmet “të papranueshme”, por vuri në pikëpyetje strategjinë e përgjithshme të sigurisë së qeverisë.

Kritikët argumentojnë se etiketimi i ngjarjeve si “terrorizëm urban” është një taktikë politike për të delegjitimuar lëvizjet protestuese dhe për të larguar vëmendjen nga problemet sociale.

Qendra sociale Askatasuna kishte qenë e pushtuar për gati 30 vjet, por pas një sulmi ndaj selisë së gazetës La Stampa, autoritetet vendosën ta nxirrnin nga ambientet në dhjetor