Vendimi për ekstradimin e Seitit është marrë nga Gjykata e Tiranës më 23 dhjetor 2017, ndërsa ekstradimi i tij drejt shtetit fqinj është bërë paraditen e të enjtes dhe nisja nga aeroporti i Rinasit është bërë rreth orës 11:40, ndërsa avioni ka mbërritur në Romë rreth orës 12:40. Seiti është shoqëruar ditën e djeshme nga dy agjentë të antidrogës italiane, të cilët kanë mbërritur në Shqipëri mesditën e të mërkurës.
Ministrja Etilda Gjonaj firmosi një ditë më parë ekstradimin e Habilajve. Drejtësia italiane shpalli në kërkim Seitin, pas hetimeve nga prokuroria e Cattanias për grupin Habilaj, ku në tetor 2017 u shkatërrua grupi kriminal me në krye Moisi Habilajn.
Ndërkohë, gjatë përgjimeve të kryera nga prokuroria italiane, anëtarët e bandës përmendin edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Ky i fundit vijon të jetë në hetim në Shqipëri. Nezar Seiti u arrestua në Babicë Vlorës me 19 tetor të vitit të shkuar, gjatë një operacioni antidrogë ku u sekuestruan afërsisht 4 ton kanabis.
Ministria: Zbatuam vendimin e gjykatës
Ministria e Drejtësisë ka reaguar duke sqaruar vendimin për ekstradimin e anëtarit të bandës së Habilajve, Nezar Seiti në Itali. Ministrja Etilda Gjonaj, që firmosi një ditë më parë ekstradimin deklaron se Gjykata në pjesën arsyetuese të vendimit është shprehur se nuk ka asnjë pengesë ligjore për të mos e lejuar ekstradimin në Itali të Seitit.
Vendimi për ekstradimin e Seitit është marrë nga Gjykata e Tiranës më 23 dhjetor 2017, ndërsa ekstradimi i tij drejt shtetit fqinj është bërë paraditen e të enjtes dhe nisja nga aeroporti i Rinasit është bërë rreth orës 11:40, ndërsa avioni ka mbërritur në Romë rreth orës 12:40. Seiti është shoqëruar ditën e djeshme nga dy agjentë të antidrogës italiane, të cilët kanë mbërritur në Shqipëri mesditën e të mërkurës.
“Ministria e Drejtësisë shqiptare, menjëherë pas marrjes së kërkesës të datës 24 nëntor 2017 nga Ministria e Drejtësisë italiane për ekstradim të shtetasit Nezar Seiti, ia ka përcjellë atë Prokurorisë së Përgjithshme. Prokuroria e Përgjithshme në datë 10 janar 2018, ka vënë në dijeni Ministrinë e Drejtësisë lidhur me vendimin e Gjykatës së Tiranës me Nr. 1506, datë 18 dhjetor 2017, i cili ka marrë formë të prerë më datë 29 dhjetor 2017, duke vendosur miratimin e kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për lejimin e ekstradimit të shtetasit Nezar Seiti.
Gjykata në pjesën arsyetuese të vendimit Nr. 1506 datë 18 dhjetor 2017 është shprehur se nuk ka asnjë pengesë ligjore për të mos e lejuar ekstradimin në perputhje me parashikimet ligjore të brendshme dhe ato ndërkombëtare”-thuhet në reagimin e ministrisë së Drejtësisë.
Hetimi i grupit të dytë në Itali
Në mes të dhjetorit, në Shqipëri u raportua për mbylljen e hetimeve në Itali për grupin e Moisi Habilajt, 15 persona, shqiptarë e italianë. Katër të dyshuarit, pikërisht Nezar Seiti, Armando Sulaj, Sabaudin Çelaj, Florian Habilaj, si dhe persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë, po hetohen të veçuar nga autoritetet italiane.
Kurse mbyllja paraprake e hetimeve për 15 të tjerët, përfshi Moisi Habilajn, ishte vetëm një moment procedurial. Duke marrë Nezarin në Itali, prokurorët e Katanias do të plotësojnë hetimet për grupin e dytë, ku enigmë mbeten emrat që Prokuroria e Katanias nuk po i bën publikë. Ndaj, me largimin e Nezar Seitit, përgjigjen e kësaj enigme duket se do ta marrim nga Italia.
d.c./shqiptarja.com









