Sali Berisha pretendon se nuk ka marrë asnjë fletëthirrje për të shkuar në SPAK dhe për t'u pyetur për krimin shtetëror të 21 janarit. Në konferencën për mediat, kreu i PD-së u hoq sikur nuk di t'i ketë shkuar në banesë apo në selinë blu fletëthirrja, por për në Kuvend, tha se e ka pranuar 'partia e SKAP-it'. Për Berishën, ky është një spektakël i shëmtuar nga SPAK drejtuar nga Altin Dumani, pasi sipas tij, në banesë dhe në selinë e partisë ka njerëz të përgjegjshëm që do ta informonin.
“Unë kudo, qoftë në seli, qoftë aty ku banoj, kam njerëz të përgjegjshëm, të cilët kurrë nuk mund të ndodhë të firmosin për një dokument që adresohet tek unë dhe të mos ma japin. Por kjo i intereson Altin Troplinit, i cili e shndërron atë institucion, i jep standardet e tij morale. Sot është data 14. Nga data 3 që pretendohet, deri me datën 14, ai dokument mund të vinte 5 herë në zyrën time, në shtëpinë time apo në parlament. Dhe nuk ka ardhur askund.”, tha Berisha.
Më tej, u rikthye në ditën kur ka ndodhur ngjarja duke thënë ka qenë njeriu i parë që ka kërkuar një hetim të plotë të ngjarjes. Por, për të, fajtori i vetëm është Edi Rama se donte t'i merrte pushtetin.
“Unë isha thellësisht më i interesuar për hetimin, ndoshta më shumë se kushdo tjetër. Jo për veten time, se ata që patën qëllime të tilla, dështuan, por kjo duhet të zbardhej në interesin më të mirë të shtetit shqiptar. Po të hetohej organizatori, Edi Ramës duhet t’i faturohej atë që meritonte. Kurse Sali Berisha qëndroi në zyrën e tij, ditë pune, respektoi flamurin dhe detyrën që kishte. Pra, këto janë për këtë çështje. Këto dhe vetëm këto. Nuk më kanë thirrur, sa herë të thërrasin për çdo gjë, jo për këtë, unë shkoj, nuk kam asnjë lloj”, tha Berisha.
Berisha vijoi sërish duke pretenduar se nuk i është dërguar fletëthirrja as në banesë dhe as në seli, sepse njerëzit e tij do e informonin, edhe pse vetë SPAK sqaroi në një reagim zyrtar se i janë refuzuar dy herë fletëthirrjet, njëra më 3 nëntor dhe tjetra e dërguar më 7 nëntor. Në thirrjen e 3 nëntorit, që Berisha pretendon s'e ka marrë në banesë, SPAK e përgënjeshtron teksa thotë se i është kthyer mbrapsht me një shënim ku thuhej se rojet janë autorizuar që të mos marrin asnjë zarf. Pranimin e ftesës në Kuvend e justifikon me Taulant Ballën dhe se SPAK është i lidhur me partinë në pushtet.
"Unë nuk kam pranuar? Kujt ia kanë ofruar? Se unë nuk e kisha dëgjuar këtë. Po në qoftë se këta thonë se ia dërguam dhe nuk e pranoi, këta janë mashtrues ordinerë. Janë të pafytyrë. Unë kam, fatmirësisht tek pallati njerëz që marrin postën me firmë. Të nxjerrin firmën. Unë kam njerëz në seli. A e kanë nisur në tre vende? Atëherë pse del se vetëm në parlamentin e Taulantit e paskan marrë? Shiko çfarë veglash të shpifura, të turpshme...Unë respektoj ligjin. Unë nuk merrem me trillime, nuk merrem me manipulime, nuk merrem me propagandë banale, unë respektoj ligjin. Ligji përcakton njoftimin. Kurse ajo që thua ti, parlamenti, ajo tregon një lojë të turpshme të tyre. Pra, selia nuk e ka marrë, pallati nuk e ka marrë, ka njerëz aty, të thotë postieri cili ia refuzoi. E ka marrë Taulanti me 5 mbiemra, çka fakton lojën e turpshme të Altin Troplinit, i cili në turpe të tilla që asnjë ordiner nuk ia lejon vetes.”, shtoi ai.
Kur u pyet për reagimin e SPAK, dhe emailin në të cilin gjithashtu i është dërguar fletëthirrja, Berisha u zu ngushtë. Ai pretendoi se përdor emailin e tij personal dhe jo atë me parlamentin, ku është dërguar fletëthirrja që ka çuar Prokuroria. Madje shkon edhe më tej teksa thotë se këtë adresë zyrtare të emailit ku është dërguar fletëthirrja t'ia kenë hapur për të bërë këtë show, siç e cilësoi ai.
“Është një gënjeshtër absolute. Ato rojë janë njerëz të përgjegjshëm. Këta janë njerëz të pafytyrë. Janë njerëz të përgjegjshëm të cilët më kanë dorëzuar mua çdo lloj dokumenti që ka ardhur aty. Dhe, kur organet gjyqësore kanë pasur, e kanë konsideruar të domosdoshme, i kanë dërguar me motoçikletë, me punonjës të policisë, gjykatës, etj, etj dhe nuk ka ndodhur kurrë kjo që thonë ata. Shiko, bëju bllok atij numrit të tyre sepse e kanë agjenci mashtrimi. Prandaj ju lutem shumë, bëjini bllok dhe report atij numrit, thuaju edhe kolegëve tuaj të bëjnë të njëjtën gjë sepse dezinformojnë....Emailin e hap çdo ditë. Nuk kanë dërguar asnjë. Unë email nuk përdor dhe nuk kam email në parlament. Nuk përdor email në parlament. Në qoftë se e kanë hapur dhe është, ato kanë rregulla komunikimi. Nuk është emaili ajo që komunikon. Posta ka rregulla, dorëzon njoftimin, firmos ai që merr njoftimin. Duket se kanë nisur pas këtyre bisedave, kanë hapur ndonjë llogari emaili kastile për këtë punë. Normalisht deputetët duhet të kenë llogari emaili, por unë nuk e kam përdorur kurrë.”, u shpreh Berisha.
Lajmi kryesor:
21 janari/ Berisha fshihet dhe nuk shkon të japë llogari! Lojë me fletëthirrjen, SPAK: E refuzoi dy herë! Nëse s'shkon herën e tretë, shoqërohet nga Policia











