Dy persona janë vënë në pranga, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar nga policia e Tiranës në mjetin  e tyre u gjetën doza kokaine dhe sasi municion luftarak, të cilat u sekuestruan nën cilësinë e provës materiale.

Në pranga kanë rënë S. K., 48 vjeç dhe S. B., 39 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik, uniformat blu i gjetën kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me një sasi të vogël municioni luftarak që u gjet gjatë kontrollit në automjetin me të cilin ata qarkullonin.

Po ashtu gjatë ditës së sotme ka rënë në pranga edhe një 30-vjeçar me iniciale Sh. K., banues në Tiranë, pasi ka përndjekur dhe kanosur ish-të dashurën e tij, për një periudhë 1-vjeçare.  

Burimet  e policisë bëjnë me dije se 3 persona të tjerë janë arrestuar gjithashtu. Konkretisht M. Sh., S. Sh. dhe A. Sh., të tre banues në Tiranë.

Sipas informacioneve M. Sh. dhe S. Sh. kanë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së djalit të tyre,  S. Sh., ndërsa ky i fundit e ka goditur bashkëshorten e tij, me send të fortë.   

Një tjetër rast dhune la në pranga L. A., 40 vjeç, banuese në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij.

Gjithashtu, specialistët e krimeve ndaluan F. F., 66 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij.

Ndërsa Polica Rrugor arrestoi O. M., 49 vjeç, banues në Tiranë dhe K. M., 31 vjeç, banues në Thumanë, pasi duke drejtuar automjetet përkatëse, në gjendje të dehur, janë përplasur me dy automjete të tjera, me pasoja vetëm dëme materiale. 

Materialet i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.