Iu gjetën 34 mln lekë, KLD
pezullon gjyqtarin Shkëlqim Miri

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pezulluar nga detyra gjyqtarin Shkëlqim Miri, i cili akuzohet se mori 20 mijë euro ryshfet për të ndryshuar akuzën ndaj Gentian Dodës duke sjellë lirimin e tij nga burgu. Por, gjithashtu gjatë kontrollit të banesës, Mirit iu gjetën dhe sekuestruan 34 milionë lekë, të cilat ai deklaroi se i kishte për kurim.

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën ‘arrest me burg’ pak ditë më parë për akuzën e korrupsionit, ndërsa prokuroria i kërkoi KLD-së, pezullimin e gjyqtarit, kërkesë që u miratua sot në mbledhje.  Kështu KLD i hapi rrugë hetimit të gjyqtarit edhe pse është vetëm procedurë, pasi ai aktualisht ndodhet pas hekurave. Pas kontrollit të banesës, Mirit iu gjetën dhe u sekuestruan 174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë.  

Vendimet e KLD
Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot, datë 17.11.2017, mbledhjen plenare, e cila nisi pezullimin nga ushtrimi i detyrës të gjyqtarit Shkëlqim Miri pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, për shkak të dhënies së masës së sigurimit personal ndaj tij “Arrest në burg”, me vendimin nr. 417 datë 12.11.2017 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.

Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli vendosi me shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Elbasan, Qani Hasa për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Në vijim Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak të mbushjes së moshës të pensionit, të dy magjistrateve.

Gjithashtu, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtari

Dosja që çoi pas hekurave gjyqtarin
Por ku e ka zanafillën ky hetim dhe dosja që çoi në pranga gjyqtarin Miri? Bëhet fjalë për një vrasje të vitit 1997 kohë në të cilën Gentian Doda personi i liruar pak kohë më parë nga gjyqtari Miri vrau një shtetas në qytetin e Burrelit.

Doda u hetua dhe dënua për vrasjen e Gazmir Dedja mesditën e 27 tetor të vitit 1997. Për këtë vrasje Doda do të dënohet 4 vite më pas më 26 Janar 2001 me 20 vite burgim. Pesë muaj më pas Doda apelon vendimin por gjykata e apelit lë në fuqi 20 vitet e burgut duke mos pranuar ankimin e tij. Një vit më pas 2 shkurt 2002 po e njëjta gjykatë apeli i Tiranës lë në fuqi dënimin me 20 vite burg të dhënë nga shkalla e parë e gjykatës së Matit.

Nga arratia Gentian Doda troket në gjykatën e lartë aty ku sërish mbetet në fuqi i njëjti dënim për të duke mos i pranuar Rekursi. Gjithçka ndryshon ku në 2012 Gentian Doda ekstradohet nga Amerika, ku u arrestua në Kaliforni për llogari të drejtësisë shqiptare.

Më 13 korrik 2012 ora 23.25 minuta Doda ekstradohet nga agjentët amerikan duke u sjellë në Rinas me pranga dhe u vendos në burgjet shqiptare për të shlyer dënimin me 20 vite. Me anë të rekursit ai i drejtohet sërish Gjykatës së Lartë për të hequr dënimin ndaj tij, por në 2014 kjo kërkesë e Dodës nuk pranohet.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Doda troket në Gjykatën Kushtetuese, aty ku vendoset që gjykimi ndaj tij të rihapet nga e para për shkak se ai është gjykuar në mungesë. Më 17 Nëntor 2015 Kushtetuesja vendos pranimin e pjesshëm të padisë së Dodës dhe kalimin e çështjes sërish në Gjykatën e Lartë. Më 24 Shkurt 2016 Gjykata e Lartë dhe pse dy herë kishte vendosur mospranim rekursi e dërgon çështjen nga e para në Mat për rigjykim.

Më 20 shtator 2016 Gjykata e Matit me vendim të gjyqtarëve Alfred Gjoni, Dedë Miri dhe Ali Koleci e dënon përfundimisht Gentian Dodën me 8 vite burgim. Neni 88 paragrafi 2 thotë: Plagosja e rëndë me dashje kur ka sjellë si pasojë vdekjen e personit dënohet me burgim nga 5 deri në 15 vite burg.

Bazuar në këtë nen Gjykata e rrethit Mat me relator Ali Koleci, kur mori në rigjykim dosjen e kthyer nga Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë e dënoi Gentian Dodën me 12 vite burg dhe në bazë të nenit 406 të Kodit të Procedurës penale për gjykimin e shkurtuar pasi Doda pranoi aktet e dosjes penale perfundimisht u dënua me 8 vite burgim.

Megjithatë Doda nuk u pajtua me këtë vendim dhe e apeloi atë në gjykatën e apelit Tiranë. Kjo gjykatë la në fuqi vendimin e dhënë në Gjykatën e Matit. Mësohet se dosja aktualisht ndodhet pranë gjykatës se lartë me relator gjyqtarin Edmond Islamaj.

Por sërish Doda nuk pajtohet me këtë dënim duke apeluar tetë vitet e burgut dhe në qershor 2017 ai arrin që në apelin e Tiranës me vendim të gjyqtarëve Shkëlqim Miri, Flutura Skënderi dhe Agim Bendo të marrë ndryshimin e akuzës nga vrasje në plagosje e të fitoj lirinë vetëm me kohën e paraburgimit të kaluar në qeli.

dy.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Frrok Çupi: Pse Sali Berisha u vjen rrotull burgjeve?

Frrok Çupi: Pse Sali Berisha u vjen rrotull burgjeve?