Miri është gjyqtar i Apelit në Tiranë, ish anëtar i KLD-së. Ai është përfshirë në ndryshimin e një akuze nga vrasje në plagosje të rëndë me dashje. Në këtë proces ka qenë i pandehur Gentian Doda, nga Burreli i ekstraduar pak kohë më parë nga Amerika.
Gentian Doda akuzohet për një vrasje të dyfishtë në Burrel në vitin 1997. Doda akuzohet për vrasjen e Gazmir Dedjes dhe Asllan Gjokës. Dyshohet se gjyqtarit i janë paguar 20 mijë euro nga Doda për ndryshimin e akuzës. Gjyqtari i ndaluar, Shkëlqim Miri ka qenë në treshen e gjyqtarëve me Agim Bendon dhe gjyqtaren Flutura Skënderin, të cilët janë në hetim. Pas ndryshimet të akuzës nga vrasje në plagosje, Doda ka fituar lirinë. Sot gjyqtari është ndaluar.
Policia: Gjyqtari Miri mori ryshfet, liroi të dënuarin për dy vrasje
Policia e Tiranës ka reaguar për herë të parë pas ndalimit të gjyqtarit Shkëlqim Miri 46 vjeç, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Ai akuzohet për “Korrupsion aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Grupi hetimor kishte krijuar dyshime për favorizim e të dënuarit Gentin Doda për ndryshimin e akuzës nga vrasje në plagosje. Sipas policisë janë dokumentuar një sërë veprimesh dhe lidhjesh të dyshimta që për marrjen e këtij vendimi, gjyqtari Miri ka marrë një sasi të konsiderueshme parash. Në kontrollin e banesës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë.
Historia e vrasjeve dhe ekstradimi
Gentian Doda u akuzua për vrasjen e Gazmir Dedjes dhe Asllan Gjokes në tetor të vitit 1997. Doda dhe Dedja kanë qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel. Në 1997, autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja janë konfliktuar verbalisht dhe më pas, i pandehuri e ka qëlluar me automatik, duke e plagosur rëndë.
Nga plumbat ka mbetur i vdekur aksidentalisht Asllan Gjoka, ndërsa i plagosuri ka mundur të mbijetojë vetëm dy ditë, por ka arritur t’u tregojë familjarëve se kush e kishte qëlluar. Në vitin 2010, në Tiranë është vrarë edhe vëllai i viktimës, Halil Dedja. Pas ngjarjes së 1997 Gentian Doda u arratis jashtë vendit dhe më pas u arrestua në SHBA duke u ekstraduar në Shqipëri në 2012, pas 15 vitesh.
Gjykimi në Shqipëri
Procesi ndaj Gentian Dodës ka kaluar të gjitha hallkat e gjyqësorit në Shqipëri, është dënuar për vrasje në vitin 2000 me 20 vite burg, u arratis në SHBA, më pas u kap dhe u ekstradua. Në gjykatën e Lartë u vendos të mos ndryshohet akuza. Çështja e tij u shqyrtua edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi që gjykimi ndaj tij të zhvillohej sërish në gjykatën e shkallës së parë të Matit. Por ishte gjykata e Apelit ajo që i ndryshoi akuzën nga vrasje në plagosje duke sjellë lirimin e tij dhe arrestimin e gjyqtarit.
Gjyqtari i ‘Gërdecit’ ishte në ‘listën e zezë’ të Ramës
Gjyqtari Shkelqim Miri është një emër i njohur. Miri ka qenë pjesë e treshes së gjyqit që liroi nga qelia dhe ish Guvernatorin Adrian Fullanin. Përpos faktit që ka qenë edhe pjesë e trupës që ka gjykuar dosjen e Gërdecit, ishte futur në ‘listën e zezë’ që Rama publikoi pak muaj më parë. Bazuar në mbi 3 mijë denoncime online, kryeministri Edi Rama publikoi në 12 Korrik një raport në faqen e tij në Facebook me 100 zyrtarët që kanë abuzuar në administratën e shtetit. Sipas tij, 70 zyrtarë i përkasin qeverisjes vendore e qendrore, ndërsa 30 sistemit të drejtësisë, mes tyre edhe Shkelqim Miri.
Gjyqtari Shkelqim Miri
dy.b/shqiptarja.com