Policia e Tiranës ka realizuar gjatë 24 orëve të fundit 2 operacione kundër armëmbajtjes pa leje, duke vënë në pranga 3 persona.
Të arrestuarit janë Shendi Sata, Shemsi Shaljani dhe Fatbardh Hyka, ndërkohë që janë sekuestruar 3 armë zjarri dhe një sasi fishekësh.
69-vjeçari Fatbardh Hyka dyshohet sipas Policisë, se i mbante armët e zjarrit pa leje, me qëllim shitjen. Ndërsa 43-vjeçari Shemsi Shaljani u arrestua pasi kishte thyer ‘arrestin e shtëpisë’ teksa udhëtonte me makinë me 31-vjeçarin Shendi Sata (të cilit iu gjet një armë zjarri në makinë).
Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë/Finalizohen gjatë 24 orëve të fundit, 2 operacione të tjera kundër armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen 3 armë dhe qindra fishekë.
Vihen në pranga 3 shtetas që lëviznin të armatosur, mbanin armë në banesë, me qëllim shitjen, ose kishin thyer masën e sigurisë.
Në vijim të punës operative dhe asaj operacionale, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që posedojnë dhe/ose shesin armë zjarri, dhe për pasojë, përbëjnë rrezik për qytetarët dhe sigurinë publike, gjatë këtyre 24 orëve, u finalizuan 2 operacione në këtë fushë. Konkretisht:
-shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, finalizuan operacionin e koduar “Shenja”, si rezultat i të cilit u kapën duke lëvizur me automjet, në Rrugën e Dibrës, dhe u vunë në pranga shtetasit Sh. S., 31 vjeç dhe Sh. Sh., 43 vjeç, sepse gjatë kontrollit, 31-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, ndërsa gjatë verifikimeve rezultoi se 43-vjeçari ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”;
-specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “Kodra”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi F. H., 69 vjeç, pasi gjatë kontrolleve në banesën e tij, në fshatin Kodër Kashar, u gjetën 1 armë zjarri (pistoletë) me municion dhe 1 armë gjahu me 112 fishekë, që dyshohet se posedoheshin me qëllim shitjen.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente








