Sali Berishës iu ndërpre fjala ndërsa fliste në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, teksa po e trajtonte Shqipërinë si një narkoshtet. Momenti kur drejtuesja e seancës i fiku mikrofonin u bë viral, ndërsa Berisha vijonte të fliste në sallë.

Duke u përpjekur ta minimizojë këtë incident, të cilin Berisha nuk e priste dhe kjo tregohet qartë edhe nga “shoku” që pësoi Albana Vokshi, kreu i PD tha sot se në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale se denoncimin e tij e vijoi tek kamera. Edhe pse në kamera nuk dëgjohet asgjë, kur mikrofoni është i fikur, kreu i PD tha se e arriti "qëllimin" e tij për të shpalosur kërkesën e opozitarëve për qeveri teknike.

“Fjala në Strasburg për diskutantët është gjithnjë dy minuta dhe ajo ndërpritet automatikisht. E vërteta është se unë e dija këtë, isha i vetëdijshëm dhe natyrisht që pjesën më pikante ia kisha rezervuar Ramës që në minutën e parë, kurse në minutën e fundit unë e dija se ajo ndërpritet, por unë vazhdova se kamera funksionon pavarësisht se zëri shuhet. Mua më interesonte kamera dhe kërkova qeverinë teknike”, tha Berisha në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale.

Kreu i PD komentoi edhe tryezën që mblodhi me intelektualë, aleatë dhe shoqërinë civile. Berisha thotë se kushdo që e ndjen veten opozitar dhe që e sheh veten përballë Edi Ramës duhet t’i bashkohet frontit të tij në Partinë Demokratike.

Ai shtoi se kushdo që i bën opozitë opozitës së tij është në shërbim të Edi Ramës, megjithatë ka edhe përjashtime si ish-bashkëpunëtorët e tij Lulzim Basha e Enkelejd Alibeaj.

“Unë mendoj se në kuadrin e kësaj nisme, çdo njeri që ndjehet opozitar dhe që e nuk lejon veten të tradhtojë elektoratin që ka votuar kundër Edi Ramës, të tradhtojë elektoratin që gjen forca të shkëputet nga lidhje e të tjera, rreshtohet në këtë front. Agron Shehaj, i cili ka moralin të krahasojë PD-në me PS-në. Thotë se është i persekutuar. Opozita është e hapur. Unë e kam theksuar, por ju kam njoftuar se, ata që duan të bëjnë opozitën e opozitës, ata janë faktikisht në shërbim të tjetërkujt. A nuk patën rastin ata për të qenë në të mirë të Shqipërisë? Kjo parti a nuk u dha atyre çdo mundësi? Të lutem, a nuk u dha tyre çdo mundësi, dhe çfarë e përdorën? Mirësitë e Bamir Topit ishin pronat e tij, të Lulzim Bashës, pasurimi i tij dhe shkatërrimi. Për atë tjetrin shko e pyet ata që u drejtojnë fushatën se çfarë të thonë. Prandaj, mos bëjmë fjalë me pseudointelektual”, tha Berisha.