Iva Tiço: Ja cilat janë dy dashuritë e mia

Iva Tiço: Ja cilat janë dy dashuritë e mia
Prej tre vitesh është pjesë e spektaklit “Dancing With The Stars” si e vetmja femër e jurisë , e cila me anë të komenteve dhe pranisë së saj arrin t’i dhurojë sharm spektaklit. Iva Tiço, drejtore e “Madame Mapo”, rrëfen në një intervistë për suplementin THASH&THEM eksperiencën në këtë shoë, të papriturat e këtij edicioni dhe marrëdhëniet me konkurrentët e DWS.Gjithashtu Tiço nuk nguron të na tregojë edhe disa të fshehta nga jeta e saj private dhe profesionale. Në përmbyllje të fazës gjysëmfinale të edicionit të tretë të spektaklit anëtarja e jurisë, Iva Tiço gjykon se nata finale e DWS, do të jetë një garë e fortë mes konkurrentësh të talentuar deri në padjeshkën e fundit. 

Iva sapo përmbyllëm fazën gjysmëfinale të “Dancing With the Stars”, si ju dukën konkurrentët në këtë fazë?
Ashtu si dhe në dy vitet e shkuara, më duken gati si balerinë profesionistë. Sidomos, nëse krahasohen me netët e para të spektaklit, sheh se si kanë bërë kaq shumë hapa përpara, janë më të lirshëm në skenë, por edhe janë shumë më tepër kërkues ndaj jurisë për pikët që marrin në fund të çdo kërcimi. Normale kjo, përderisa janë shumë afër çmimit të madh. 

Është hera e parë që kishim shumë çifte në gjysmë finale?
Po, dy edicionet e shkuara kanë qenë vetëm katër, nga të cilët është eliminiuar një, për të shkuar në finale me tri konkurrentë. Këtë vit në gjysmëfinale ishte dyfishi i konkurrentëve, gjë që do të thotë garë më e fortë për çmimin e madh. 

Ashtu sic do garë, ne kemi të preferuarit por edhe ju pëlqeni dikë më shumë se dikë tjetër. Keni në fakt një konkurrent të preferuar?
Ju mund ta thoni të preferuarin, mund edhe ta votoni,kurse mua nuk më lejohet të kem të preferuar, nuk mund të jem e padrejtë. 

Ok, nuk doni të më tregoni një emër, po në mund të thoni nëse jeni subjektive, kur jepni pikët për një konkurrent që e keni të preferuar?
Nuk ka ndodhur kurrë. Madje dy tre herë ka ndodhur e kundërta, me personazhe me të cilët kam pasur përplasje, sidomos në publik, jam treguar më dorëlëshuar. Pikërisht sepse kam pasur kompleksin, se mos dukesha si hakmarrëse, u kam dhënë edhe më tepër sesa meritonin. 

Është viti i tretë që jeni pjesë e këtij spektakli, si e shikoni “Dancing” nga viti në vit?
Si çdo gjë ku fitohet përvojë, edhe ky spektakël ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Çdo vit nga ana teknike përmirësohen gjëra të vogla, kërkohet më shumë, por edhe nga ana e personazheve, duke u parë cilësia e spektaklit dhe shikueshmëria rekord, pjesëmarrësit vijnë me dëshirë të madhe, duke arritur që të krijohet një garë me personazhet më të lakmuarit e të gjitha fushave. Fakti që këtë vit në garë ishin plot 14 personazhe, e dëshmon këtë. 

Ky edicion i tretë ka pasur shumë surpriza, në formulë, në performanca, etj. Ishit në dijeni edhe ju, si anëtar të jurisë apo jeni surprizuar ashtu sikurse publiku?
Netët e para, unë dhe ndokush tjetër kemi arritur të kapim ndonjë gjë që pëshpëritej, ndonjë formulë eliminimi surprizë. Sepse në fund të fundit sekreti nuk është më sekret kur e dinë dy njerëz. Prandaj netët e fundit producentja, Holta Dulaku ia ka dalë ta ruajë sekretin deri në fund, duke na surprizuar dhe ne të jurisë, edhe bashkëpunërorët e ngushtë po aq sa pjesëmarrësit në garë dhe publikun. 

Si ndiheni përkrah Ilir Shaqirit dhe Alfred Kaçinarit?
Ndihem shumë mirë, jemi të tre mjaft të ndryshëm në gjykimin tonë, dhe kjo është gjë që ndihet dhe i bën mirë spektaklit, sepse shqiptarët janë mësuar të paragjykojnë çdo juri.Ne nuk kemi mendim unanim dhe jemi spontanë, kjo është mëse e dukshme. 

Do t’iu shohim gjithmonë në jurinë e këtij spektakli?
Këtë e di vetëm producentja Dulaku. Me aq sa kam parë këtë vit, nuk do habitesha fare sikur Ami të thërriste emrat e të treve ne, e të na fuste në garë dhe të vendoste tre konkurrentë në juri. 

Është cilësuar si një edicionet me femrat më të bukura, keni dhe ju këtë mendim?
Jo, sepse çdo vit ka pasur konkurrente shumë të bukura.Pastaj më duket pak ofenduese t’i ndash femrat në të bukura apo më pak të bukura. Këtu nuk jemi në garë për “Miss” edhe pse vajzat që vijnë nga konkurset e bukurisë, nuk kanë munguar në të trija edicionet. 

Po meshkujt e DWS 3 si ju janë dukur?
Janë lënë pak në hije këtë vit nga shtypi, sepse janë marrë me femrat. Mëkat, sepse kanë qenë në garë këngëtarët më të kërkuar, Dren Abazi e Vedat Ademi, aktori Artan Imami, e ka nderuar garën Bujar Kapexhiu apo ish portieri i Kombëtares, Foto Strakosha, por edhe dy djem jashtëzakonisht të talentuar Xhani Shqerra e Seldi Qalliu, që me këtë spektakël kanë fituar mjaft publik. 

Keni pasur ndonjë moment të sikletshëm përgjatë “Dancing With Stars”?
Ka pasur raste që e kanë shprehur përpara kamerave, gjë që më duket reagimi më normal, por dhe raste të tjera që e kanë shprehur diku tjetër.Gjithsesi nuk ka pasur asnjë reagim që të më ketë shkaktuar mërzi, pendesë, apo të më acarojë e largqoftë të më bëjë të pendohem që jam në atë panel.Por ka dhe ca reagime që më duken qesharake, të ndokujt që kur merr shumë pikë falënderon në mikrofon jurinë dhe kur merr pak, i duket sikur i kanë bërë padrejtësi dhe thotë që falënderon publikun. 

Si janë marrëdhëniet tuaja me të gjithë konkurrentët e DWS?
Me ata që kam pasur miq prej kohësh, miqësi konstante që nuk ndikohet nga pikët më të larta apo më të ulëta. Me disa të tjerë, kanë lindur miqësi të reja, që shpresoj të zgjasin në kohë. Me të tjerë, njohje e cekët dhe dashamirësi, shpresoj, reciproke. 

Për cilin prej tyre jeni mërzitur kur është eliminuar?
Për Xhani Shqerrën dhe Niada Saliasin. Xhani për fat u rikthye, Niada jo. Dhe më vjen shumë keq, që nuk zgjati edhe pak rruga e saj në “Dancing…”. Shpresoj ta shoh sa më shumë në skenën e teatrit. 

Do donit të fitonte këtë spektakël një femër, pas fitoreve të dy meshkujve?
Nuk më pëlqejnë ndarjet gjinore.Do doja ta fitonte dikush që edhe pëlqehet dhe votohet nga publiku. Por gjithsesi do ketë të pakënaqur, do ketë kontestime, si në çdo garë. 

Sapo keni mbushur 16 vjeçe, si ndiheni?
Hahahahaha, shtojmë dhe njëzetë të tjera... 

Them 16 se jeni në formë shumë të mirë, çfarë bëni për të qenë gjithnjë në formë?
Shumë sport dhe gjumë të mirë. 

Ju kemi parë edhe si zëdhënëse, në poste ministrore. Ku ndihet Iva më mirë?
Puna në ministri ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme, për të cilën hera herës më merr malli. Jam ndjerë mirë në çdo punë që kam bërë, në momentin kur nuk ndihem mirë në një punë, largohem dhe shoh për diçka tjetër. E shoh veten thjesht gazetare, ministria, drejtimi i revistës, apo juria janë thjesht detyra. 

Përveç qenushit tuaj, jeni e dashuruar?
Jam. Por më lejoni t’ua korrigjoj pyetjen, sepse nuk kam vetëm qenushin në shtëpi, kam edhe një mace, që është jashtëzakonisht xheloze. Shpresoj mos t’i bjerë në vesh që me keni pyetur vetëm për qenin.(qesh) 

Ku do t’i kalojë drejtoresha e Madame Mapo, pushimet verore?
Revistat nuk bëjnë pushime, përkundrazi, në verë kanë periudhën e tyre më të mirë, kur lexohen më shumë në plazh. Gjë që do të thotë më pak pushime për mua dhe ata që punojnë me mua. 

Su/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar

RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kontrolle në hotelin ky dyshohet se ndodhen 2 persona të shumëkërkuar! Policia lokale nuk ishte njoftuar