Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes pezullon Shqipërinë nga të gjitha aktivitetet. Arsyeja e pezullimit janë 3 rastet e dopingut vetëm gjatë vitit 2012. Fillimisht ka qënë sportistja Shqiponja Brahja në kategorinë e femrave që ka rezultuar se ka përodruar substance të ndaluara duke u pezulluar. Vetëm pak muaj më pas është Erkand Qerimaj që shkruan emrin në listën e zezë të dopingut duke u përjshtuar fillimisht për katër vite, por pas apelimit që bëri në gjykatën sportive në Lozano të Zvicrës, dënimi është reduktuar në dy vite.

Sikur të mos mjaftonin Brahja me Qerimajn, gjatë përgatitjeve për Lojërat Olimpike Londër 2012 nga një test rrufe në ekipin olimpik shqiptar të zhvilluar nga Federata Ndërkombëtare e Anti – Dopingut ka rezultuar se ka perdorur substanca të ndaluara edhe Hysen Pulaku. Elbasanasi nuk pranoi duke kërkuar edhe testin B, por asgjë nuk ndryshoi, pasi edhe testi i dytë rezultaoi pozitiv duke sjellë dënimin katër vjecar nga të gjitha aktivitetet të Pulakut. Pas tre rasteve të lartpërmendura Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes më datë 2 gusht në mënyrë të fshehtë vendosi të përjashtojë Shqipërinë. Federata Shqiptare e Peshëngritjes e ka mbajtur të fshehtë vendimin e marrë që më 2 gusht. Pezullimi pritet të zgjasë deri në fund të vitit 2012.

Në këtë mënyrë Shqipëria do të humbasë pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror për të rinjtë, që do të organizohet në Sllovaki në datat 17-22 shtator, Kampionatin Evropian për të rinjtë që do organizohet në Izrael nga 29 nëntori deri më 9 dhjetor si edhe kupën e Mesdheut që do mbahet në Itali me 7-8 dhjetor. Mbledhja e ardhshme e bordit drejtues të Federtaës Ndërkombëtare të Peshëngritjes do të mbahet në muajin shtator në Sllovaki, aty ku do të zhvillohet botërori i peshëngritjes për të rinj.


(d.b/shqiptarja.com)