Izolimi, Basha merr mbështetje
nga ‘delja e zezë’ e Brukselit 

Izolimi, Basha merr mbështetje<br />nga ‘delja e zezë’ e Brukselit 
Përbetimet për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit, bojkoti i Kuvendit, pasuar me bllokimin e zbatimit të reformës në drejtësi, kanë rikthyer me shpejtësi izolimin ndërkombëtar të Partisë Demokratike.

Perëndimi, jo vetëm ka ‘dënuar’ aksionin politik të Partisë Demokratike, por kjo e fundit, si rrallë ndonjëherë, është paralajmëruar me ndërprerje të marrëdhënieve, siç ishte edhe ultimatumi i fundit i partisë së Angela Merkel.

Amerika dhe Evropa, me deklarata zyrtare, e kanë identifikuar Partinë Demokratike si penguese të zbatimit të Vetingut dhe për pasojë edhe të avancimit të mëtejshëm të vendit në rrugën e integrimit, ndërsa kërcënimet për të bllokuar zgjedhjet, janë konsideruar si të papërgjegjshme.

Në kushte të tilla, disa ditë pas zhvillimit të një takimi me ambasadorin Rusisë në Tiranë, z. Aleksandër Karpushin, Lulzim Basha ka zhvilluar dje një takim po aq të diskutueshëm, tashmë me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, i konsideruar si një kryeministër tejet problematik për Bashkimin Evropian.

Në Maltë, ku po mbahet dhe Kongresi i Partive Popullore Evropiane, Basha ka takuar kryeministrin hungarez, i njohur si mik dhe mbështetës i ish-kryeministrit Sali Berisha në kohë të vështira politike.

Mbështetja
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka marrë mbështetje nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, për aksionin politik të opozitës, e cila synon rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike.

“Z. Basha dhe z. Orban diskutuan për zhvillimet politike në Shqipëri dhe për kërcënimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare.

Kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është e lidhur pazgjidhshmërisht me integrimin europian të Shqipërisë, theksoi kryeopozitari Basha teksa e informoi z. Orban mbi rrugëzgjidhjen përmes qeverisë teknike që do të zbatojë dekriminalizimin, luftojë drogën dhe paratë e pista dhe të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Z. Orban deklaroi se Partia simotër FIDESZ i jep mbështetje të plotë aksionit të opozitës që synon garantimin e votës së lirë e të ndershme në vend”, thuhet në njoftimin e PD.

Kush është Viktor Orban?
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, konsiderohet si një lider problematik për Brukselin. Krerët e vendeve të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar Orban për autoritarizmin ekstrem në tij dhe sjelljen aspak normale ndaj refugjatëve sirianë dhe irakenë të ikur nga lufta dhe masakrat e ISIS. Përpos kritikave, Orban është paralajmëruar edhe për masa që mund të merreshin ndaj vendit të tij.

Po ashtu, prej gjashtë vitesh, Orban ka hyrë në një hulli konfliktesh me Bashkimin Evropian për një sërë ligjesh, të konsideruara antidemokratike, të cilat forconin pushtetin e tij dhe kufizonin demokracinë e Hungari. Nga ana e tij, Orban ka akuzuar herë pas herë Bashkimi Evropian për ndërhyrje në punët e brendshme të Hungarisë dhe për cenimin e sovranitetit. Konflikti më i ashpër është shënuar në vitin 2011, nga miratimi i një ligjit nga shumica e Orban, i cili rriste kontrollin shtetëror mbi mediat, duke i ndëshkuar dhe mbyllur ato.

Ligji i jepte kompetencë qeverisë që të gjobiste kanalet e transmetimit deri në një milion dollarë, faqet e internetit dhe gazetat deri në 100 mijë dollarë, në qoftë se mbulimi i ngjarjeve nga ana e tyre nuk ishte i balancuar apo ishte i pamoralshëm. Pra, mediat duhet të raportonin sipas formulës së qeverisë. Për këtë ligj, Orban u akuzua nga krerët e vendeve të BE për pritje diktatoriale. Për shkak të përplasjeve të vazhdueshme, ai është konsideruar edhe si ‘delja e zezë’ e Evropës.

Gjithashtu, Orban njihet si produkt i George Soros, por tashmë ai është shndërruar në armikun më të përbetuar i tij. Që kur George Soros po kërcënonte pushtetin e Orban, ky i fundit e shpalli non grata, ndërsa nisi një hetim të gjatë dhe goditi OJF-të e financuara nga miliarderi amerikano-hungarez. Ndërkaq, pak ditë më parë, kryeministri hungarez, Viktor Orban ka kritikuar qeverinë shqiptare se ka ndërhyrë në punët e brendshme të Maqedonisë. Gjatë një vizite zyrtare në Shkup, Orban e quajti të papranueshme çdo ndërhyrje të brendshme në politikën e ditës në Maqedoni.
 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Mbi 2040 kandidatë për 'Mjekësi', i nënshtrohen testit dixhital! Të paqartë për punën e detyruar! Ligji i paplotësuar pas rrëzimit nga Kushtetuesja

Mbi 2040 kandidatë për 'Mjekësi', i nënshtrohen testit dixhital! Të paqartë për punën e detyruar! Ligji i paplotësuar pas rrëzimit nga Kushtetuesja