Izolimi i PD, 15 ‘armiqtë’ e çadrës
nga Uashingtoni në Bruksel

Ata konsiderohen si ‘armiqtë’ e çadrës dhe të interesave politike të Partisë Demokratike, për shkak se janë investuar si asnjëherë më parë për miratimin e Vetingut dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi në tërësi, me qëllim për të mundësuar afrimin e Shqipërisë me BE dhe kthimin në një vend normal demokratik.

Ata janë përfaqësues dhe zëdhënës të institucioneve më të larta nga Shtetet e Bashkua të Amerikës deri në Bruksel, por që kryetari i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, thotë se ose janë të painformuar për kauzën e PD ose janë të blerë me paratë e mafies shqiptare. Sipas Lulzim Bashës, Vetingu, investimi më i madh gjermano-amerikan, është një projekt mafioz, ndërsa ndërkombëtarët që kanë dënuar bojkotin, janë një tufë të korruptuarish dhe pse e një komploti të madh. Kjo është edhe përplasja më e ashpër e Partisë Demokratike me Perëndim që pas viteve të zeza ’96-’98, kur kjo parti përjetoi izolimin më të madh ndërkombëtar. Po kush janë zyrtarët e lartë të Uashingtonit dhe Brukselit, të cilët prej 53 ditësh janë pozicionuar kundër bojkotit të Kuvendit dhe kushteve të opozitës për të hyrë në zgjedhjet parlamentare?

Lista nis me kryediplomaten e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila në fillim të muajit mars, gjatë një vizite në Tiranë, tha se bojkoti i Kuvendit do të thotë bllokim i Vetingut. Mesazhi ishte i qartë, ndërsa pakkush mund të besojë se zonja në fjalë është blerë me paratë e drogës, siç pretendon PD. “Bojkoti i parlamentit do të thotë bllokim i krijimit të komisionin e Vetingut dhe kjo ndal procesin e integrimit në BE”, u shpreh Mogherini. Disa ditë më vonë, aksioni i opozitës mori një goditje të fortë nga Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Brian, i cili u shpreh kundër shtyrjes së zgjedhjeve. Hoyt Brian konfirmoi qëndrimet e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili u anatemua dhe u akuzua nga PD se nuk përfaqëson qëndrimin e qeverisë amerikane.

Partia e Merkelit
Një reagim i fortë dhe me peshë ka qenë ai i zëvendëskryetarit të grupit të CDU-CSU në Parlamentin gjerman, Franz Josef Jung. Në emër të partisë së Angela Merkel, Josef Jung i kërkoi në mënyrë ultimative PD t’i japë fund bojkotit dhe të hyjë në zgjedhje pa parakushte, duke e paralajmëruar për prishje të marrëdhënieve. “Duke qenë se ka mënyra të tjera për të ulur rrezikun e zgjedhjeve jo të drejta, do të doja t’ Ju drejtoja lutjen tonë urgjente, për t'i dhënë fund menjëherë bojkotit parlamentar, për të marrë pjesë në mënyrë aktive në zbatimin e reformës në drejtësi dhe për t´u regjistruar për zgjedhjet kombëtare pa vendosur parakushtet e përmendura më sipër”, ka pohuar Josef Jung.

Brukseli
Nga Evropa mund të cilësojmë si reagime të qarta kundër bojkotit të Kuvendit dhe zgjedhjeve, qëndrimet e ambasadores së BE Romana Vlahutin, zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Koçijançiç, ambasadores gjermane në Tiranë, Susanne Schutz, raportuesit për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein, eurodeputetit Eduard Kukan, Komisionerit Evropian Johannes Hahn, eurodeputetes italiane Elly Schlein, ambasadorit të OSBE në Tiranë, Bernd Borchard dhe raportuesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly. Knut Fleckenstein dhe eurodeputetit Eduard Kukan kanë artikuluar disa deklarata të forta në adresë të Partisë Demokratike. Madje, dy ditë më parë, Fleckenstein tha se PD duhet të shkojë në punë ose të pushohet nga puna, deklarata e cila mori përgjigje të ashpra nga ana e përfaqësuesve të opozitës.
 
Ndërkombëtarët që kundërshtuan aksionin e opozitës
 
1. Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit Hoyt Brian
“Shqipëria duhet që t’i mbajë zgjedhjet e saj në kohën e duhur, më 18 qershor. Dhe nëse ka probleme, ne mendojmë se opozita dhe qeveria duhet të ulen në dialog dhe t’i zgjidhin, në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme”.
 
2. Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini
“Unë po ashtu kam qenë e qartë që bojkoti i parlamentit do të thotë bllokimi i krijimit të komisioneve të Vetingut dhe de facto, kjo ndal procesin e progresit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo, në një moment kur vendi juaj ka mundësinë e vërtetë që të ecë përpara në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”.
 
3. Zëvendëskryetarit të grupit të CDU-CSU, Franz Josef Jung
“Duke qenë se ka mënyra të tjera për të ulur rrezikun e zgjedhjeve jo të drejta, do të doja t’ Ju drejtoja lutjen tonë urgjente, për t'i dhënë fund menjëherë bojkotit parlamentar, për të marrë pjesë në mënyrë aktive në zbatimin e reformës në drejtësi dhe për t´u regjistruar për zgjedhjet kombëtare pa vendosur parakushtet e përmendura më sipër”.
 
4. Zëdhënësja e Komisionit Europian Maja Koçijançiç
“Ne shprehim keqardhjen sepse ne besojmë se debati politik duhet të bëhet në Parlament dhe jo jashtë dhe ne presim se dialogu e bashkëpunimi mes opozitës dhe mazhorancës, janë të rëndësishëm për ambiciet e vendit për t'iu bashkuar BE. Përgatitjet për zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm në këtë zhvillim dhe do të ndjekim zhvillimet nga afër”.
 
5. Ambasadorja e BE në Tiranë Romana Vlahutin
“Vetingu natyrisht është një kërcënim i madh për grupet e interesit, të cilat kanë kontrolluar pjesë të mëdha të gjyqësorit, aksionet janë të mëdha, prandaj për këtë arsye edhe rezistenca e tyre është e ashpër.  Disa politikanë shqiptarë janë duke bërë gjithçka që diplomatët dhe komunitetin ndërkombëtar t’i përfshijnë në konfliktet e tyre të brendshme dhe t’i përdorin si alibi për gabimet e tyre”.
 
6. Ambasadorja gjermane në Tiranë Susanne Schutz
“Ashtu sikurse Gjermania është shprehur zgjedhjet duhet të jenë të lira e të ndershme dhe të zhvillohen në kohën e duhur. Në zgjedhje duhet të marrin pjesë ato parti që dëshirojnë të futen”, është shprehur ambasadorja. Shqipëria ka nevojë për stabilitet, zgjedhjet duhet të bëhen në kohen e caktuar”.
 
7. Raportuesit për Shqipërinë në PE Knut Fleckenstein
“Të jesh zgjedhur, dhe të mos shkosh në punë, pushohesh. N.q.s je një parlamentar, mund të bësh çfarë të duash, por duhet të punosh. Të shkosh në punë, në Parlament, e sidomos për të votuar Vetingun. Nuk njoh asnjë deputet europian që të mbështesë bojkotin në çdo vend”.
 
8. Eurodeputetit Eduard Kukan
“Unë vetëm mund të përsëris se prej ca kohësh jepen mesazhet e njëjta, pavarësisht se kush i dërgon ato, përfshirë edhe përfaqësuesit politik në nivelin më të lartë, se nuk është rrugë bojkoti, apo moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve. Ne gjithmonë u themi se është e domosdoshme që ju të merrni pjesë dhe të dëshmoni se ju jeni të fortë politikisht në zgjedhje”.
 
9. Komisionerit Evropian Johannes Hahn
“Komisioneri përsëriti se debati politik nuk duhet të bëhet jashtë, por brenda Parlamentit. Bashkëpunimi i qeverisë dhe opozitës është vendimtar për ambicien e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Komisioneri përsëriti gjithashtu rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje”.
 
10. Eurodeputetja italiane Elly Schlein
“Çdo formë proteste, për sa kohë është demokratike dhe paqësore, e mbi të gjitha është pjesë e të drejtave të opozitës, është e drejtë. E sigurt është që nuk duam ta shohim këtë gjë që të vërë në rrezik implementimin e shpejtë të reformës në drejtësi që u votua verën e kaluar, duke dhënë një mesazh të rëndësishëm, mbi të gjitha qytetarëve shqiptarë por edhe partnerëve evropianë”.
 
11. Ambasadori i OSBE në Tiranë Bernd Borchard
“Mënyra për të ecur para duhet të jetë dialogu për përmirësimet e Kodit Zgjedhor dhe jo kërcënimet për një bojkot të zgjedhjeve; një bojkot vetëm sa do të dëmtonte vendin dhe ata që e fillojnë atë. Kërcënimet për të ndërprerë procesin e rregullt demokratik do të ishin shumë të papërgjegjshme; janë shumë të paktë ata shqiptarë që mund të duan që vendi të shkojë 20 vite pas. Thirrjet për dhunë janë një territor ku nuk duhet shkelur absolutisht”.
 
12. Raportuesi në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Andrej Hunko
“Gjatë reformave të ndërmarra Shqipëria ka nevojë si për shumicën por edhe për opozitën. Për me tepër çdo lloj bojkoti do të ketë pasoja negative për vendin”.
 
13. Raportuesi në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Joseph O’Reilly
“Të gjitha forcat politike duhet të përmbahen dhe të mos pengojnë këtë zhvillim të rëndësishëm. Ne përsërisim se çështja kryesore në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri është mungesa e vullnetit politik mes aktorëve kryesorë politikë për zbatimin e Kodit Zgjedhor me qëllim të mirë dhe dëshira e tyre për të politizuar administratën zgjedhore”.
 
14. Ambasadori amerikan Donald Lu
“Nuk jemi dakord me metodën e bojkotit. Po ashtu, e kam thënë tashmë se nuk bie dakord me mënyrën, e cila po bllokon këto reforma, por më lejoni të sugjeroj që një mënyrë që na kthen te puna për këto reforma është dialogu midis opozitës dhe qeverisë dhe ecja përpara për këto tri çështje”.
 
15. Shefja e ONM Genoveva Ruiz Calavera  
“Për ONM-në ky është një operacion rreptësisht jo-ekzekutiv, pa kompetenca të drejtpërdrejta vendimmarrëse. Të gjitha aktivitetet e ndërmarra nga ana e ONM janë sigurisht në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë. Vazhdimi i kësaj reforme është kushti që do të hapë rrugën e Shqipërisë për në BE”. 

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave