Kreu i Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë, Shkëlzim Goxhaj, ka treguar detaje nga operacioni për shuarjen e zjarrit që ra pasditen e djeshme në tregun e ish-Uzinës Dinamo në Tiranë.
Në një lidhje live për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report TV, Goxhaj bëri të ditur se forcave zjarrfikëse të Tiranës u erdhën në ndihmë edhe zjarrfikësit e Kamzës, Vorës, Elbasanit, por edhe Forcat e Armatosura.
“Ju e patë vetë edhe gjatë transmetimit. Ne me të marrë njoftimin kemi vënë në lëvizje stacionin që është më afër vendit të ngjarjes, i cili është stacioni i Kinostudios. Ka arritur në momentet e para në vendin e ngjarjes. Duke parë përmasat ka njoftuar sallën operative dhe pas kësaj janë vënë në lëvizje gjithë kapacitetet e Bashkisë Tiranë. Veç kapaciteteve të zjarrfikëses së Bashkisë Tiranë, kanë qenë edhe zjarrfikësit e Kamzës, të Vorës, më vonë na kanë ardhur në ndihmë edhe nga Elbasani, nga Forcat e Armatosura dhe nga të gjitha drejtoritë e Bashisë Tiranë që kanë lidhje me Emergjencat, kanë qenë në vendin e ngjarjes”, tha mes të tjerash Goxhaj.
Duke e cilësuar operacionin si të suksesshëm, Goxhaj tha se duke izoluar vatrën e zjarrit, u bë e mundur që flakët të mos përhapeshin në objektet dhe bizneset përreth.
“Aty ka pasur sasi të mjaftueshme uji që na janë vënë në dispozicion edhe nga bizneset aty. Ka pasur burime hidrante në të dy krahët e biznesit. Gjithashtu edhe Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve ka bërë një punë të shkëlqyer duke na furnizuar me ujë. Fillimisht edhe nga pamjet që ju keni, forcat e Shërbimit Zjarrfikës janë vendosur në dy korridoret e biznesit për ta izoluar vatrën e zjarrit, por materialet që është i ndërtuar objekti dhe ato që janë brenda në objekt që janë kryesisht plastike dhe rroba, e bënin të pamundur që të eleminohej vatra e zjarrit brenda objektit dhe njëkohësisht rrezikonte në maksimum jetën e punonjësve të shërbimit Zjarrfikës, sepse aty menjëherë filloi rrëzimi i pjesës lartë të tavanit.
Kështu që ne e diskutuam dhe për të mos rrezikuar jetën e punonjësve dhe për të siguruar gjithë perimetrin dhe bizneset e tjera që janë në atë zonë, kaluam në planin për të izoluar vatrën e zjarrit vetëm brenda këtij objekti, gjë e cila u arrit pas disa orësh luftime pa ndërprerje. Nuk u lejua që vatra e zjarrit të përhapej në objektet dhe bizneset e tjera. Edhe brenda objektit kanë shpëtuar një pjesë e vogël e dyqaneve, mund të themi 5% e tregut”, shtoi më tej Goxhaj.
Goxhaj zbuloi gjithashtu se brenda kapanoneve që u dogjën kishte fikëse zjarri me kapacitet të madh, që sipas tij, nëse do të ishin përdorur në kohë nga punonjësit e sigurisë, ndoshta vatra e zjarrit mund të eleminohej që në fillim.
“Po të shikoni në të dy krahët e hyrjes së objektit janë fikëse zjarri me kapacitet të madh. Nëse do kishte reagim nga punonjësit e sigurisë, ndoshta edhe mund të eleminohej vatra e zjarrit në momentet e para”, përfundoi Goxhaj.
Lajmi kryesor:
PAMJET ME DRON/ Zjarri përpiu 100 magazina, tregu i ish-Uzinës Dinamo kthehet në gërmadhë hiri! Tregtarët në lot: Ambientet të pasiguruara









