Në hyrje të shkollës 9-vjeçari “Fan Noli” në Tiranë ishte parashikuar të vendosej një simbol përkujtimor për Martin Canin, 14-vjeçarin i cili humbi jetën në nëntor të vitit 2024 në një sherr me thikë. Një stol kur të gjithë mund të ulen, por që mbi të do të kishte një mbishkrim të ndjerë, shoqëruar edhe me foton e tij.

“Për Martinin që iu prenë ëndrrat në mes! Të mos harrojmë!”, shkruhet në pllakë.

Të pranishëm në këtë ceremoni, e cila nuk u arrit të finalizohej me sukses, ishin edhe prindërit e Martinit, Engjëll dhe Florina Cani. Pavarësisht se nga Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar dhe Bashkia Tiranë, leja ishte dhënë për vendosjes së stolit me mesazhin dhe portretin e Martin Canit, drejtoresha e shkollës nuk i ka lejuar.

“Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë shpreh dakordësinë në lidhje me vendosjen e një stoli përkujtimor në ambientet e shkollēs 9-vjeçare ‘Fan S Noli’, Tiranë, në kujtim të nxënësit Martin Cani”, thuhet në konfirmimin e kërkesës.

Drejtoresha, me pretendimin se mund të ndikojë të nxënësit e shkollës, nuk ka lejuar familjarët e Canit dhe aktivistët që ishin të pranishëm për vendosjen e stolit në vendin e përcaktuar. Për të mos lejuar, ajo njoftoi policinë, e cila pasi mbërriti në vendin e ngjarjes, i ka larguar. Stoli është lënë në një cep të shkollës, dhe nuk dihet nëse në vijim do të vendoset apo jo.

Ndërkohë, në nëntor 2025, në ambientet e një fushe sportive u vendos një pllakë metalike përkujtimore me portretin e Martin Canit të realizuar me lazer.

Si u vra Martin Cani? 

Ngjarja ndodhi më 18 nëntor, 3 ditë pasi kishte lindur konflikti mes dy Martinit dhe një bashkëmoshatari brenda shkollës, për motive krejt banale, i cili në dukje u mbyll, por që u rindez sërish po brenda shkollës. 2 të miturit u takuan paradite në tualetet e shkollës, debatuan sërish por u ndanë nga roja i sigurisë. Pas mësimit, me shokët respektivë, u takuan jo shumë larg oborrit të shkollës, ku nisi një sherr që përfundoi me vrasjen e Martinit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosje të autorit me thikën e tij. Pas ngjarjes autori e hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të vjetër, e cila u gjet disa ditë më vonë dhe ekspertiza nxori se me të njëjtën thikë ishte goditur viktima dhe i plagosuri.

Autori u arrestua. Për ditë me radhë ngjarja u mbulua me mister. Babai i 14-vjeçarit të plagosur akuzoi policinë se ngjarja po fshihej dhe se në konflikt janë përdorur 2 thika dhe se djali i tij ishte goditur me të dyja. Këto deklarata të ripërsëritura detyruan policinë të bëj disa reagime publike, duke u shprehur se në ngjarje, referuar pamjeve te kamerave, dëshmive dhe provave, në sherr ishte përdorur vetëm një thikë dhe autori i dytë i pretenduar nuk kishte rol dhe thikë tjetër. 

Në dhjetor, gjykata e dënoi autorin e mitur me 16 vite heqje lirie. Ai u shpall fajtor për dy vepra penale: vrasje në rrethana te tjera cilësuese ndaj Martin Canit, si edhe vrasje në rrethana te tjera cilësuese mbetur në tentativë ndaj të miturit tjetër që mbeti i plagosur.