Izrael - Partia Yashar e Gadi Eisenkotit dhe partia Demokratët e Yair Golanit kanë njoftuar përmes një deklarate të përbashkët se kanë arritur një marrëveshje koalicioni, sipas së cilës partia e majtë do të marrë katër poste ministrore.
Sipas mediave të huaja, lajmi është bërë i ditur në një deklaratë të mëvonshme të publikuar nga Demokratët.
Njoftimi vjen vetëm pak orë pasi Yashar bëri të ditur rifillimin e negociatave për koalicionin me këtë parti. Negociatat ishin ngrirë të martën nga Golan, në shenjë proteste ndaj bisedimeve që Yashar po zhvillonte me partinë Likud të kryeministrit Benjamin Netanyahu për formimin e mundshëm të një qeverie të unitetit kombëtar.
Sipas deklaratës së Demokratëve, katër portofolet ministrore që do t'i takojnë partisë janë: një portofol i zgjeruar i sigurisë kombëtare; Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, aktualisht dy ministri të veçanta që, sipas planeve të bllokut të drejtuar nga Eisenkot, pritet të bashkohen në kuadër të reduktimit të një qeverie të mbingarkuar me ministri; Ministria e Komunikimeve; si dhe Ministria e Kulturës dhe Sportit, e cila do të përfshijë edhe një “drejtori të re për demokracinë”.
Demokratët do të mbikëqyrin gjithashtu Ministrinë e Barazisë Sociale, megjithëse formulimi i deklaratës thekson se kjo ministri do të bashkohet me një nga katër portofolet e tjera, me shumë gjasë me atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Vlen të theksohet se Demokratët nuk do të marrin Ministrinë e Arsimit, pavarësisht raportimeve të mëparshme në mediat hebraike se kjo ministri mund t'u jepej atyre. Pra Ministria e Arsimit mund të mbetet në duart e Yashar. Po ashtu, Demokratët nuk do të marrë as Ministrinë e Drejtësisë, për të cilën kishte shprehur interes dhe e cila pritet t'i jepet ose partisë Yisrael Beytenu të Avigdor Libermanit, ose të mbetet gjithashtu në duart e Yashar.
Partia Demokratët pranon se kishte kërkuar portofolin e Drejtësisë, por thekson se angazhimi për krijimin e një qeverie ndryshimi dhe “përgjegjësia kombëtare na kërkojnë të veprojmë me shpejtësi, të arrijmë marrëveshje dhe të tregojmë gatishmëri për kompromis”.
Sipas partisë, marrëveshja përfshin “angazhimin për shfuqizimin e plotë të reformës në drejtësi, mbrojtjen e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe sigurimin e arritjeve të rëndësishme për shoqërinë izraelite, demokracinë izraelite dhe shoqërinë arabe”.
“Me këtë hap, po hapim rrugën për t'i dhënë fund qeverisë Netanyahu dhe për të shpëtuar demokracinë izraelite”, thuhet në deklaratën e partisë, e cila shton se palët po punojnë për të finalizuar detajet e mbetura përpara nënshkrimit të marrëveshjes.
Partia do të marrë gjithashtu drejtimin e Komisionit të Kushtetutës, Ligjeve dhe Drejtësisë në Knesset, do të ketë një përfaqësues në Komisionin për Përzgjedhjen e Gjyqtarëve, si dhe do të sigurojë postin e ministrit përgjegjës për lidhjen dhe koordinimin mes qeverisë dhe Knessetit.










Komente
Komento