Sipas mediave izraelite, ndërsa janë numëruar 92% e fletëve të votimeve, kryeministri izraelit Netanyahu dhe rivali i tij kanë siguruar nga 32 vende secili në Parlamentin me 120 vende
Edhe si koalicione, blloku i krahut të djathtë ka siguruar 56 vende, po aq sa të majtët, kurse partia e Lieberman 9 vende.
Për të formuar një qeveri stabile, partitë duhet të paktën të sigurojnë 61 vende dhe sipas shumë gjasave, duket se më i favorizuari për të bërë numrat është Gantz, i cili mund të ndihmohet nga 9 vendet e Lieberman.
Për momentin, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat përfundimtare vetëm për 35% të votave, sipas të cilave partia Likud e Netanyahu-t ka siguruar 28.09% dhe Blu-Bardhë e Gantz 26.63%.
Netanyahu: i gatshëm për negociata për të formuar një qeveri të fortë Sioniste
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke pritur rezultatet e zgjedhjeve, tha se ai ishte i gatshëm për negociatat për të formuar një "qeveri të fortë Sioniste".
"Në ditët në vijim, ne do të fillojmë negociatat për krijimin e një qeverie të fortë Sioniste dhe për të parandaluar një qeveri të rrezikshme antizioniste," u tha ai mbështetësve në një tubim pas-zgjedhor në Tel Aviv.
Gantz: Ne do të formojmë një qeveri të madhe uniteti, do të flas me të gjithë
Benny Gantz, sfiduesi kryesor i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në zgjedhjet e përgjithshme të vendit, ka bërë thirrje për një qeveri të gjerë uniteti ndërsa sondazhet e gjejnë atë kokë më kokë me kundërshtarin e tij.
"Ne do të veprojmë për të formuar një qeveri me bazë të gjerë që do të shprehë vullnetin e njerëzve," u tha Gantz mbështetësve në Tel Aviv. "Ne do t'i fillojmë negociatat - shtoi ai - dhe unë do të flas me të gjithë".