Izrael–Palestinë, historia e një konflikti që ka filluar dekada më parë dhe rikthehet herë pas herë

Përplasjet e fundit midis izraelitëve dhe palestinezëve, sjellin edhe njëherë në qendër të vëmendjes një konflikt të vjetër që qëndron si një plagë e hapur në zemër të Lindjes së Mesme dhe kjo është arsyeja pse përballjet e dhunshme janë përshkallëzuar në goditje me raketa, sulme ajrore dhe vdekje.

Dhjetëra palestinezë kanë humbur jetën që nga e hëna, qindra të tjerë janë plagosur dhe dhjetëra shtëpi dhe vende kulti janë përfshirë nga flakët.

Por si nisi gjithçka dhe pse ky konflikt nuk di të ndalet?

Pas mposhtjes së Perandorisë Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, Britania e Madhe mori kontrollin e territorit të njohur si Palestina. Territori banohej nga një pakicë hebrenjsh dhe një shumicë arabësh. Tensioni mes dy palëve u rrit kur komuniteti ndërkombëtar i caktoi Britanisë detyrën që të përcaktonte një “shtëpi kombëtare” në Palestinë për popullin hebre. Për këta të fundit, aty ishte toka e të parëve, por për të njëjtin vend pretendonin edhe arabët e Palestinës, të cilët e kundërshtuan këtë vendim.

Mes viteve 1920 dhe 1940, numri i hebrenjve që mbërrinin u rrit ndjeshëm, shumica e tyre largoheshin për t’i shpëtuar përndjekjes në Evropë dhe kërkonin një atdhe, pas Holokaustit dhe Luftës II Botërore.

Dhuna mes hebrenjve, arabëve dhe britanikëve, u përshkallëzua ndjeshëm. Në vitin 1947, Organizata e Kombeve të Bashkuara votoi që Palestina të ndahej në dy shtete të ndryshme, një për hebrenjtë dhe një për arabët, ndërsa Jerusalemit iu dha statusi i një qyteti ndërkombëtar. Plani u pranua nga udhëheqësit hebrenj, por u refuzua nga pala arabe dhe nuk u vu kurrë në zbatim.

Krijimi i Izraelit dhe “Katastrofa”

Në vitin 1948, të pafuqishëm për të zgjidhur problemin, sunduesit britanikë u larguan dhe udhëheqësit hebrenj deklaruan krijimin e shtetit të Izraelit. Krijim që u pasua nga reagime të shumta nga palestinezët dhe kështu nisi lufta. Trupat e vendeve arabe fqinje pushtuan territorin dhe qindra mijëra palestinezë u larguan vetë, ose me forcë, nga shtëpitë e tyre, një ngjarja të cilën ata e quajnë “Al Nakba”, ose “Katastrofa”.

Pas përfundimit të luftë, një vit më vonë Izraeli kishte marrë nën kontroll pjesën më të madhe të territorit. Jordania në anën tjetër kishte pushtuar një pjesë që më pas u quajt Bregu Perëndimor, ndërsa Egjipti kishte pushtuar Gazën, sot objekt qendror në konflikt.  Jerusalemi, edhe sot në qendër të konfliktit u nda mes forcave izraelite në perëndim dhe atyre jordaneze në lindje. Për shkak se palët nuk firmosën kurrë një marrëveshje paqeje, secila palë fajësonte tjetrën dhe në dekadat që pasuan luftimet nuk u ndalën kurrë.

Në vitin 1967, në një konflikt tjetër Izraeli pushtoi Jerusalemin lindor dhe Bregun Perëndimor si dhe pjesën më të madhe të rajonit kodrinor Golan, që i përkisnin Sirisë, Gazës dhe gadishullit të Sinait, që deri në atë moment ishte pjesë e Egjiptit. Shumica palestinezëve tanimë refugjatë dhe pasardhësit e tyre, jetojnë sot në Gaza dhe Bregun Perëndimor, por edhe në vendet fqinje, si Jordiania, Siria dhe Libani.

Asnjë prej tyre nuk është lejuar që të rikthehet në shtëpitë e tyre, pasi Izraeli pretendon se kjo do të mbipopullonte vendin dhe do të kërcënonte ekzistencën e shtetit.

Izraeli mban ende të pushtuar Bregun Perëndimor dhe megjithëse është tërhequr nga Gaza, OKB-ja e konsideron ende territor të pushtuar. Izraeli pretendon se Jerusalemi është kryeqyteti i shtetit edhe pse një gjë e tillë nuk njihet nga OKB-ja dhe BE-ja, ndërsa palestinezët pretendojnë të kenë Jerusalemin Lindor si kryeqytet të shtetit të ardhshëm palestinez. Shtetet e Bashkuara dhe një numër i vogël shtetesh, janë të vetmit që njohin pretendimet e Izraelit mbi qytetin.

Në 50 vitet e fundit, Izraeli ka ndërtuar vendbanime në zonat e pushtuara, ku sot jetojnë më shumë se 600 mijë hebrenj. Palestinezët thonë se këto ndërtime janë në shkelje të ligjeve ndërkombëtare dhe pengojnë paqen, por Izraeli e mohon këtë , duke I konsideruar ato si shtëpi të tyre.

Çfarë po ndodh tani?

Përshkallëzimi i tensioneve mes palëve izraelitëve dhe palestinezëve që jetojnë në Jeruzalemin Perëndimor ndh herë pas here. Gaza drejtohet nga grupi militant palestinez, Hamas, i cili ka kryer disa herë luftime me shtetin izraelit. Izraeli dhe Egjipti kontrollojnë kufirin e Gazës për të mos lejuar që Hamasi të marrë armatime.

Palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor thonë se vuajnë për shkak të veprimeve dhe pengesave të shtetit të Izraelit, ndërsa autoritetet në Tel Aviv thonë se veprojnë vetëm për vetëmbrojtje.

Këtë vit, situata është përkeqësuar që prej nisjes së muajit të Ramazanit në mes të prillit, ku pothuajse çdo natë janë regjistruar përleshje mes palestinezëve dhe policisë. Kërcënimi për të zhvendosur disa familje palestineze nga shtëpitë e tyre dhe vendosja e izraelitëve në to i ka dhe më shumë flakë benzinës.

Cilat janë përplasjet kryesore mes palëve?

Ka disa çështje mbi të cilat Izraeli dhe Palestina nuk mund të bien dakord. Këto probleme kanë të bëjnë me të ardhmen e refugjatëve palestinezë, qëndrimin apo largimin e hebrenjve të vendosur në Bregun Perëndimor, ndarjen e Jerusalemit dhe ndoshta çështja më delikate , a duhet të kenë palestinezët shtetin e tyre, përkrah atij të Izraelit. Për të gjetur një zgjidhje bisedimet kanë filluar 25 vite më parë dhe deri tani nuk është zgjidhur ende asgjë.

Çfarë do të ndodhë në të ardhmen?

Edhe pse mund të ketë një qetësim , me shumë gjasa, zgjidhja do të vonojë. Plani më i fundit i paqes, i hartuar nga Donald Trump kur ishte president i Shteteve të Bashkuara  dhe I konsideruar nga kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu si “marrëveshja e shekullit” është hedhur poshtë nga palestinezët si e njëanshme dhe nuk u vu kurrë në zbatim.

Çdo marrëveshje e ardhshme do të duhet të marrë pëlqimin e të dyja palëve dhe t’i japë zgjidhje disa çështjeve të ndërlikuara. Por deri sa kjo të ndodhë, konflikti duket se do të vazhdojë herë pas here.

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 14/05/2021 02:56

    Artikullit desha t'i shtoj disa gjera per kuriozitet dhe info shtese :Ne rradhe te pare dua te them qe cifutet e blene te drejten e krijimit te shtetit te tyre.Kur Fuqite e Medha kerkonin financim per makinerine e Luftes Boterore,ishin bankieret cifute qe iu erdhen ne ndihme me kushtin e Izralit,por keto ishin lojra ne prapaskenen politike te kohes.Gjithashtu Anglia nuk ishte shume entuziaste kur erdhi koha e mbajtjes se premtimit dhe kjo u materializua me problemet dhe pengesat qe filluan te vinin, per ardhjen e cifuteve,sidomos pas LIIB.Gjithashtu sipas autorit P.Jonson te //Kohet moderne//,arabet i mbajten refugjatet neper kampe,ne kushte mizerabel,gje qe do te ndikonte me vone ne rritjen e urrejtjes se tyre ndaj Izraelit dhe pasojat e saj.Dicka tjeter qe desha te shtoj, eshte qe jeta e nje palestinezi ne Izrael eshte shume e veshtire duke filluar qe nga kalimi ne kufi.Duhet thene se keto veshtiresi dhe burokracite shpesh artificiale te krijuara nga izraelitet,ka bere qe palestinezet te germojne e te hapin tunele nentokesore,ku shpesh kalohen njerez,te mira materiale te nevojshme e deri dhe arme.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)