Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka urdhëruar fillimin e negociatave për lirimin e pengjeve të mbetura dhe përfundimin e luftës në Gaza me kushte të pranueshme për ta. Ai iu tha trupave izraelite mbrëmjen e së enjtes se kabineti i tij kishte miratuar gjithashtu plane për një sulm masiv në qytetin e Gazës në veri të territorit, pavarësisht kundërshtimit të gjerë ndërkombëtar dhe vendas.

Hamasi ra dakord të hënën për një propozim të hartuar nga ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit për një armëpushim 60-ditor, i cili sipas Katarit do të sillte lirimin e gjysmës së pengjeve të mbetura në Gaza. Por, duke u përgjigjur për herë të parë, Netanyahu nuk e ka pranuar marrëveshjen që është aktualisht në tryezë, sipas BBC. 

"Kam ardhur për të miratuar planet e IDF-së (Forcave Mbrojtëse të Izraelit) për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës dhe për të mposhtur Hamasin. Këto dy çështje - mposhtja e Hamasit dhe lirimi i të gjithë pengjeve tona - shkojnë dorë për dore”, shtoi Netanyahu, pa dhënë detaje rreth asaj se çfarë do të përfshijë faza tjetër e bisedimeve.

Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz u zotua të shkatërrojë qytetin e Gazës nëse Hamasi nuk pranon të çarmatoset, të lirojë të gjithë pengjet e mbetura në territor dhe t'i japë fund luftës sipas kushteve të Izraelit. 

"Së shpejti, portat e ferrit do të hapen mbi kokat e vrasësve dhe përdhunuesve të Hamasit në Gaza derisa ata të pranojnë kushtet e Izraelit për t'i dhënë fund luftës, kryesisht lirimin e të gjithë pengjeve dhe çarmatimin e tyre", shkroi ministri në mediat sociale. 

"Nëse ata nuk pranojnë, Gaza, kryeqyteti i Hamasit, do të bëhet Rafah dhe Beit Hanoun", shtoi ai.