Izraeli ka vendosur kufizime për burrat palestinezë nga Bregu i pushtuar Perëndimor që të hyjnë në xhaminë Al-Aksa për lutjet e së Premtes gjatë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit. Burrave palestinezë nga mosha 12 deri në 55 vjeç u është ndaluar hyrja në xhami.

Njësia e Koordinimit të Aktiviteteve Qeveritare në Territoret Palestineze, e cila është e lidhur me ushtrinë izraelite, tha se ishin përcaktuar kushtet për adhurimin e palestinezëve në xhaminë Al-Aksa gjatë Ramazanit.

Gratë palestineze që jetojnë në Bregun Perëndimor, fëmijët nën moshën 12 vjeç dhe burrat palestinezë mbi moshën 55 vjeç mund të vijnë në Jerusalemin Lindor të pushtuar pa leje për t'u falur në xhaminë Al-Aksa të premteve. Burrat palestinezë ndërmjet moshës 45 dhe 55 vjeç kërkojnë leje të posaçme për të ardhur në xhami për t'u falur.

Ndërkohë, një numër i paspecifikuar i grave të moshës 50 vjeç e lart dhe i burrave mbi 55 vjeç që jetojnë në Rripin e Gazës do të lejohen të vizitojnë Jerusalemin midis të dielës dhe të enjtes.

Përveç kësaj, palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor do të lejohen të vizitojnë anëtarët e familjes që jetojnë në Izrael gjatë Ramazanit.

Zyrtarët nga Izraeli dhe Palestina u takuan në Egjipt të dielën për bisedime që synojnë qetësimin e dhunës në rritje që ka ngjallur frikën e përshkallëzimit të mëtejshëm gjatë Ramazanit.

Që nga fillimi i vitit, 88 palestinezë, duke përfshirë individë të moshuar, gra dhe fëmijë, janë vrarë për shkak të sulmeve të ushtarëve izraelitë.