Qeveria izraelite ka autorizuar fillimin e një procesi të regjistrimit të tokës në Bregun Perëndimor për herë të parë që nga vitit 1967. Bazuar në një rezolutë të paraqitur nga ministrat e Mbrojtjes, Financave dhe Drejtësisë, Autoriteti i Regjistrimit të Izraelit do të marrë fondet dhe fuqinë punëtore të nevojshme për të kryer procedurat. Siç raporton Times of Israel , pronësia e afërsisht dy të tretave të Bregut Perëndimor nuk është regjistruar kurrë zyrtarisht.

Qeveria izraelite thotë se procesi i regjistrimit të tokës do të krijojë "siguri ligjore" dhe do të ruajë interesat e shtetit hebre.

Por Presidenca e Autoritetit Kombëtar Palestinez paralajmëron për pasoja të rënda që mund të sjellë miratimi i qeverisë izraelite. Në një deklaratë të raportuar nga agjencia palestineze e lajmeve Wafa, masa "përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin" dhe "fillimin e zbatimit të planeve që synojnë konsolidimin e pushtimit përmes zgjerimit të paligjshëm të vendbanimeve".

Megjithatë, paralajmëroi Presidenca, këto vendime nuk do t'i japin Izraelit " asnjë legjitimitet mbi territorin e Shtetit të Palestinës" dhe "nuk do të ndryshojnë statusin ligjor dhe historik sipas të cilit Bregu Perëndimor, përfshirë Jeruzalemin Lindor dhe Rripin e Gazës janë territor i pushtuar palestinez". Presidenca e autoritetit kombëtar palestinez kërkoi nga ndërkombëtarët dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të ndërhyjë "për t'u dhënë fund veprimeve të rrezikshme të Izraelit" dhe "për ta detyruar Izraelin të zbatojë ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e legjitimuara ndërkombëtarisht".

Procesi i ri i regjistrimit të tokës do të hyjë në fuqi në të ashtuquajturën Zona C të Bregut Perëndimor, e cila përbën afërsisht 60% të të gjithë territorit dhe ku Izraeli mban kontroll ushtarak dhe civil.