Gaza u gjend nën ujë në ditën e parë të dimrit. Një stuhi e fuqishme goditi 700 mijë njerëz, duke përmbytur kampet e refugjatëve dhe rreth 70 mijë çadra të atyre që kanë mbetur pa shtëpi mbi kokë. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë përmasat e katastrofës humanitare.
Khaled Badeer, 50 vjeç, nga Khan Younis, rrëfen: “E urrej dimrin. Zhurma e shiut më tmerron. Jetojmë në një shkollë për të zhvendosurit, ku kemi ngritur një çadër në oborr, sepse nuk kemi asnjë vend tjetër ku të shkojmë. Është viti i tretë që po e përjetoj këtë tragjedi. Dje u zgjova me ujin e akullt që më rridhte në fytyrë. Gjeta nipërit e mi duke u dridhur nga të ftohtit, me batanijet dhe dyshekët krejtësisht të qullur. Njërin prej tyre e çova në një klasë të shkollës. Nuk arrita të shpëtoja asgjë. Më pas, së bashku me gruan, djalin dhe familjen e tij, pamë se si çadra jonë u përpi nga uji”.
Nga veriu në jug të Rripit të Gazës, kampet e refugjatëve u përmbytën. Katër ndërtesa, që rrezikonin të shembeshin, u evakuuan, ndërsa në një rast çatia e një shtëpie u shemb nga reshjet e shiut, duke vrarë një burrë që ishte duke fjetur. Në kampin e të zhvendosurve në zonën e Ushtarit të Panjohur, në qytetin e Gazës, çadrat u shkulën nga uji.
“Nuk dua të jetoj në një çadër, sado e pajisur të jetë ajo: nuk do të jetë kurrë e përshtatshme”, thotë mes lotësh Rana Harb, 40 vjeçe. “Prej tre vitesh nuk kam fjetur asnjë natë. Fëmijët e mi nuk e kanë ndier kurrë vërtet ngrohtësinë gjatë dimrit. Trupat e tyre janë bërë blu, të ftohtë si blloqe akulli. Nuk kemi dyshekë dhe presim një ditë me diell vetëm që të thajmë batanijet. Prej tre vitesh na detyrojnë të jetojmë në struktura prej pëlhure dhe plastike. Mos vallë po presin që të vdesim nga të ftohtit?”
Fraksionet palestineze akuzojnë ushtrinë izraelite dhe “Këshillin e Paqes” si përgjegjëse për katastrofën dhe i kërkojnë Komitetit Kombëtar të ndërhyjë menjëherë. Popullsia ngre gjithashtu pyetjen se kush e qeveris sot Rripin e Gazës.
“Ushtria izraelite ka shpërbërë qeverinë e Hamasit dhe po pengon hyrjen në Gaza të qeverisë teknokrate të krijuar nga Këshilli i Paqes”, denoncon Salem Akar, 47 vjeç, nga Khan Younis. “Nuk ka asnjë autoritet që të jetë në gjendje të përballet me problemet e qytetarëve. Kujt mund t'i drejtohemi? Kërkojmë që plani i paqes të zbatohet dhe të nisë rindërtimi”.
Gjatë viteve të fundit janë regjistruar raste të shumta të foshnjave që kanë humbur jetën nga i ftohti. Rima Baroud, 30 vjeçe, e zhvendosur në Al-Mawasi, humbi në këtë mënyrë vajzën e saj pesëmuajshe. “Ishte një natë tmerrësisht e ftohtë. Të nesërmen në mëngjes pashë se lëkura e saj ishte bërë blu. E çova në spital, por ajo kishte ndërruar jetë tashmë”.
Paralizimi i jetës në Rripin e Gazës ka përkeqësuar edhe më tej degradimin e infrastrukturës. Rrugët e përmbytura e derdhin ujin në kampe dhe në çadra. Bashkitë nuk arrijnë të ndërhyjnë: mbyllja e pikave kufitare pengon hyrjen e makinerive dhe materialeve të nevojshme për riparimet dhe rindërtimin.
-
Sdi pse kjo fushate per Gazen kur ne Shqiperi vet kemi varferi.
Përgjigju











Komente
Komento