Izraeli sinjalizon përfundimin e luftimeve në veri të Gazës

Ushtria izraelite sinjalizoi se ka përfunduar luftimet e mëdha në veri të Gazës, duke thënë se ka përfunduar shkatërrimin e infrastrukturës ushtarake të Hamasit atje.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – hyri në muajin e katërt më 7 janar.

Ushtria izraelite nuk foli për dislokimin e trupave në veri të Gazës në të ardhmen. Zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, tha të shtunën mbrëma se forcat “do të vazhdojnë të thellojnë arritjet” atje dhe do të forcojnë mbrojtjen përgjatë kufirit mes Izraelit dhe Gazës. Ai tha se trupat do të përqendrohen në pjesët qendrore dhe jugore të territorit.

Njoftimi erdhi para vizitës në Izrael të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Zyrtarët e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, përfshirë edhe Blinkenin, vazhdimisht i kanë bërë thirrje Izraelit që të reduktojë ofensivën e tij ajrore dhe tokësore në Gazë dhe të zhvendosë operacionet ushtarake në sulme të shënjestruara ndaj udhëheqësve të Hamasit, në mënyrë që të shmangen viktimat në mesin e civilëve palestinezë.

Në javët e fundit, Izraeli ka zbutur ofensivën ushtarake në veri të Gazës dhe është përqendruar në pjesën jugore, ku shumica e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë strehuar.

Lufta u nxit pas sulmeve të grupit radikal Hamas më 7 tetor në jug të Gazës, ku Hamasi vrau 1.200 persona dhe mori peng rreth 250 të tjerë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka insistuar se lufta nuk do të përfundojë pa u përmbushur objektivi për eliminimin e Hamasit, kthimi i pengjeve dhe që Izraeli të sigurohet se Gaza nuk do të jetë kërcënim për të.

Për shkak të kundërpërgjigjes izraelite përmes sulmeve nga toka, ajri dhe deti, deri më tani në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 22.700 palestinezë dhe janë plagosur mbi 58.000 të tjerë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë. Zyrtarët e shëndetësisë kanë thënë se rreth dy e treta e viktimave ishin gradhe fëmijë. Izraeli fajëson Hamasin për numrin e lartë të civilëve të vrarë, sepse sipas Izraelit, grupi radikal operon në zonat e populluara me civilë.

Të dielën, zyrtarët në spitalin Nasser në Han Junis, në jug të Gazës, thanë se kanë pranuar trupat e 18 persona, përfshirë të 12 fëmijëve, që ishin vrarë nga sulmet ajrore izraelite të shtunën mbrëma. Mbi 50 persona janë plagosur në sulmet në një kamp refugjatësh në Han Junis që ishte ndërtuar dekada më parë për të strehuar refugjatët nga lufta e Lindjes së Mesme e vitit 1948, kur u krijua shteti i Izraelit.

Edhe një sulm tjetër goditi një shtëpi që gjendet mes Han Junisit dhe qytetit tjetër jugor, Rafah, duke vrarë të paktën shtatë persona. Trupat e viktimave u dërguan në një spital aty pranë, sipas gazetarëve të AP-së që ishin të pranishëm në spitalin Evropian.

Forcat izraelite po ashtu kanë përparuar brenda qendrës së qytetit Deir al-Bala, ku të shtunën kanë paralajmëruar banorët e disa lagjeve që të evakuohen./REL

S.S/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Profesionet e lira/ Administrata Tatimore: Janë rimbursuar 6,1 mln euro të 7688 tatimpaguesve, të deklarohen dhe 449 të mbeturit!

Profesionet e lira/ Administrata Tatimore: Janë rimbursuar 6,1 mln euro të 7688 tatimpaguesve, të deklarohen dhe 449 të mbeturit!