Mes zhurmës së spekulimeve globale për grumbullimin e forcave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, udhëheqësit e Izraelit kanë qëndruar jashtëzakonisht të heshtur.

Përveç disa deklaratave në mbështetje të protestave antiqeveritare në Iran këtë muaj, kryeministri izraelit ka thënë shumë pak publikisht për mundësinë që aleati i tij superfuqi, SHBA-ja, të përballet drejtpërdrejt me armikun më të madh të Izraelit. Edhe qeveria e tij ka ruajtur heshtjen.

“Kjo tregon sa e rëndësishme është kjo periudhë për Netanyahun,” thotë Danny Citrinoëicz, i cili ka shërbyer për 25 vjet në Inteligjencën e Mbrojtjes së Izraelit dhe tani është studiues i lartë për Iranin në Institutin Izraelit për Studime të Sigurisë Kombëtare.

“Për Netanyahun, fakti që SHBA-ja ka kaq shumë forca në Gjirin Persik dhe është kaq pranë një sulmi ndaj Iranit nga ana e Trumpit, është një moment i artë që nuk mund ta lërë të kalojë.”

Asaf Cohen, ish-zëvendësdrejtor i njësisë izraelite të inteligjencës së sinjaleve, thotë se heshtja e Izraelit është pjesë e një strategjie të qëllimshme.

“Udhëheqja izraelite beson se këtë herë duhet t’i lëmë amerikanët të udhëheqin, sepse ata janë më të fortë, kanë më shumë kapacitete dhe gëzojnë shumë më tepër legjitimitet ndërkombëtar.”

Benjamin Netanyahu prej kohësh e ka parë Iranin si kërcënimin kryesor për Izraelin dhe burimin më të madh të paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme. Heshtja e tij publike nuk do të thotë mungesë komunikimi privat me aleatin kryesor amerikan.

Këtë javë, shefi i inteligjencës ushtarake izraelite, Shlomi Binder, u takua me agjencitë amerikane të inteligjencës në Uashington. Sipas mediave izraelite, diskutimet u përqendruan te objektiva të mundshëm në Iran.

Citrinoëicz beson se Netanyahu po e shtyn privatisht SHBA-në drejt goditjeve maksimaliste që synojnë ndryshimin e regjimit në Iran dhe se, kur thuhet se ai i kërkoi Trumpit të tërhiqej më herët këtë muaj, arsyeja ishte se e konsideronte sulmin e planifikuar amerikan “shumë të vogël”.

Netanyahu i ka bërë më parë thirrje iranianëve që të “ngrihen” kundër regjimit të tyre, në një intervistë për Fox Neës vitin e kaluar.

Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton aktualisht një sërë veprimesh kundër Iranit – nga sulme të kufizuara simbolike deri te ndryshimi i plotë i regjimit. Publikisht, ai ka alternuar kërcënimet ushtarake me ofertën për negociata të reja.

Ndërsa shumë aleatë të SHBA-së paralajmërojnë se përpjekjet për të rrëzuar udhëheqjen iraniane mbartin rreziqe të mëdha për rajonin, në Izrael shumëkush sheh përfitime të mundshme për sigurinë e vendit.

Me ndryshimin e regjimit në Teheran, Izraeli shpreson të eliminojë kërcënimin nga raketat balistike iraniane dhe mundësinë që Irani të pajiset një ditë me armë bërthamore.

Kjo do të dobësonte gjithashtu më tej milicitë aleate të Iranit në rajon, përfshirë Hezbollahun, i cili sipas Institutit Alma në Izrael ka ende deri në 25 mijë raketa dhe predha në kufirin me Libanin.

Në kontrast, disa ligjvënës izraelitë besojnë se një sulm i kufizuar, apo edhe një marrëveshje e re me Iranin, do të sillte rreziqe më të mëdha për sigurinë e Izraelit, pasi do ta linte regjimin aktual në fuqi.

“Kur përballesh me të keqen absolute, nuk vepron në mënyrë të kufizuar,” tha Moshe Tur-Paz, deputet i partisë opozitare Yesh Atid dhe anëtar i Komisionit të Mbrojtjes në parlamentin izraelit.

“Ka konsensus që Izraeli duhet të veprojë shumë më fort, ashtu si edhe bota perëndimore. Kur bëhet fjalë për armiqtë tanë më të rrezikshëm si Irani, nuk ka dallime të mëdha. Të gjithë e kuptojmë kërcënimin.”

Shumë mendojnë se një tjetër konflikt që do ta linte regjimin iranian të paprekur nuk do të justifikonte çmimin e lartë të hakmarrjes iraniane.

Gjatë luftës 12-ditore vitin e kaluar, kur Izraeli dhe SHBA-ja sulmuan objektiva bërthamore dhe raketore iraniane, Irani u kundërpërgjigj me qindra raketa balistike drejt qyteteve izraelite. Disa prej tyre depërtuan mbrojtjen ajrore dhe goditën pallate banimi në Tel Aviv, duke vrarë të paktën 28 persona.

Ushtria izraelite ishte përgatitur për shumë më tepër viktima, por ndjenja aktuale e cenueshmërisë në Teheran mund të çojë në një reagim edhe më të ashpër në rast të një konflikti të ri. Analistët sugjerojnë se Irani ka nxjerrë mësime nga ai konflikt dhe ka përshtatur taktikat e tij. Gjashtë muaj më vonë, Irani po rindërton rezervat e raketave.

Këtë javë, një këshilltar i lartë i Udhëheqësit Suprem të Iranit paralajmëroi në rrjetet sociale se Tel Avivi do të goditej me një përgjigje “të menjëhershme dhe të paprecedentë” në rast të një sulmi amerikan.

“Netanyahu ka frikë se Izraeli do të vuajë sërish nga sulmet pa pasur ndryshim regjimi,” thotë Citrinoëicz. “Ai ka arritur në përfundimin se për të ndalur prodhimin e raketave duhet ndryshim regjimi – dhe kjo mund të ndodhë vetëm me SHBA-në.”

Sipas Cohen, momenti aktual i dobësisë së regjimit iranian – mbrojtje ushtarake të dëmtuara, aleatë rajonalë të dobësuar dhe protesta të brendshme – përbën një mundësi që mund të mos përsëritet.

“Irani është më i dobët se kurrë. Shumë njerëz besojnë se kjo është koha: tani ose kurrë.”

Në Tel Aviv, banorët që ende jetojnë mes dëmeve nga sulmet raketore iraniane të qershorit të kaluar po spekulojnë për një konflikt tjetër.

“Shpresoj që udhëheqësit tanë të mos e humbasin këtë mundësi,” thotë Neria, një i ri në të 20-at. “Nuk e di nëse përmes sulmit apo mjeteve të tjera, por duhet ta shfrytëzojmë situatën për të ndryshuar regjimin. Bombat nuk janë të këndshme, por nëse na bën më të sigurt në afatgjatë, duhet ta përballojmë.”

Shani, një vajzë e re pranë tij, shprehet më e rezervuar: “E di që shumë iranianë duan ndihmën e SHBA-së. Shpresoj vetëm që njerëzit të jenë të sigurt. Politikanët duhet të mendojnë për njerëzit – veprimet kanë pasoja.”

Sondazhet izraelite tregojnë vazhdimisht se shumica e hebrenjve izraelitë mbështesin veprime ushtarake kundër Iranit, edhe pas luftës 12-ditore.

Megjithatë, rreziqet e ndryshimit të regjimit mbeten të mëdha. Nuk ka shenja të qarta përçarjeje brenda aleancës ushtarake dhe klerikale rreth Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, ndërsa opozita iraniane është e fragmentuar. Nuk është e qartë kush do të merrte pushtetin nëse regjimi do të rrëzohej.

Një pasardhës më i ri nga e njëjta elitë sunduese nuk do të ishte domosdoshmërisht më fleksibël ndaj Izraelit, dhe kaosi i një lufte civile do të destabilizonte jo vetëm Iranin, por gjithë rajonin.

Disa ekspertë të mbrojtjes theksojnë se regjimet rrallë rrëzohen vetëm me sulme ajrore. Netanyahu, i cili përballet me zgjedhje këtë vit, është përpjekur të rindërtojë imazhin e tij si “Z. Siguri” pas sulmeve të Hamasit. Ndryshimi i regjimit në Iran – apo eliminimi i Khameneit do të ishte një fitore politike, por edhe një rrezik.

“Është një bast, por i llogaritur,” thotë Citrinoëicz. “Netanyahu nuk shqetësohet për ditën pas Khameneit. Ai dëshiron të tregojë, së bashku me Trumpin, se e shkatërroi regjimin iranian. Është një rrezik që është gati ta marrë, nëse amerikanët shkojnë deri në fund. Problemi është Trumpi.”

Si SHBA-ja ashtu edhe Irani kanë deklaruar se janë të hapur për negociata, por Trumpi i ka kushtëzuar bisedimet me ndalimin e pasurimit të uraniumit nga Irani, ndërprerjen e mbështetjes për aleatët rajonalë dhe kufizimin e raketave balistike – kërkesa që regjimi iranian i sheh si vija të kuqe.

Udhëheqja izraelite është fuqishëm kundër një marrëveshjeje, dhe analistët izraelitë janë të ndarë nëse ajo është e realizueshme.

Cohen mendon se si Uashingtoni ashtu edhe Teherani duan një marrëveshje, por nëse ajo nuk arrihet shpejt, SHBA-ja do të sulmojë.

“Udhëheqësi Suprem i Iranit dhe Trumpi kanë diçka të përbashkët: nuk kanë vija të qarta të kuqe. Gjatë negociatave të vitit 2013 i quanim ‘vija rozë’, sepse ndryshonin vazhdimisht,” thotë ai.

“Ne e përshkruajmë gjithmonë Iranin si të keq, por ata janë shumë racionalë. Ata e kuptojnë se për të ndryshuar situatën duhet të bëjnë diçka që nuk e kanë bërë më parë.”

“Po, aftësia për kompromis ekziston – ata nuk janë Koreja e Veriut – por ky regjim ka vija të kuqe,” kundërshton Citrinoëicz, duke paralajmëruar se një luftë do të ishte e vështirë të frenohej, sepse iranianët do ta shihnin si luftë për mbijetesë.

Ka shenja se Trumpi mund të ulë kushtet dhe të përqendrohet kryesisht te programi bërthamor iranian. Nëse pragu ulet mjaftueshëm që Teherani të hyjë në bisedime, pjesa më e madhe e rajonit do të marrë frymë lehtësimi – dhe shumë në Izrael do të mbajnë frymën.

Sipas Cohen, ka mënyra për të ndërtuar kompromise për çështje si pasurimi i uraniumit, që praktikisht do të ndalonin aktivitetin pa një ndalim formal.

“Dallimi thelbësor mes nesh dhe iranianëve është se ne duam rezultate të shpejta, ndërsa ata kanë durim të madh,” thotë ai. “Ata thonë: ‘kemi qenë këtu 2000 vjet, nëse na duhen edhe 30 vjet për armën bërthamore, është në rregull’.”/BBC