Trafiku i automjeteve po e bën Tiranën të pajetueshme. Duket si një paradoks i historisë, nëse mendojmë se vetëm 35 vite më parë ky ishte kryeqyteti evropian me numrin më të vogël të makinave në qarkullim. Sot, përkundrazi, rrugët janë kthyer në ferr, dhe zemra e këtij ferri është Tirana. Fenomeni ekziston prej vitesh, por në vend që të përmirësohet me kalimin e kohës, përkeqësohet, paralelisht me rritjen e popullsisë dhe me ardhjen e vazhdueshme të banorëve të rinj në kryeqytet, ardhje që projekti i Rilindjes Urbane, përmes përmirësimit estetik, do të duhej ta kishte zbutur. Vetëm në Tiranë është i regjistruar 35% i të gjitha automjeteve që qarkullojnë në Shqipëri.
Sot trafiku nuk është më një shqetësim urban, por një emergjencë kombëtare. Aq serioze saqë në ndryshimet e fundit të Kodit Penal është parashikuar edhe deri në një vit burg për parkimin në rresht të dytë. Por parkimet e paligjshme janë vetëm maja e ajsbergut. Problemi i vërtetë është se askush nuk mban përgjegjësi.
Kush merret me trafikun në këtë vend? Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës? Ajo duket më e zënë me tendera dhe inaugurime sesa me strategji afatgjata. Autoriteti Rrugor? Edhe aty, tenderat janë prioriteti kryesor. Bashkia? Rrugët i dekoron gjatë festave dhe i pastron gjatë pjesës tjetër të vitit, por me trafikun nuk merret. Policia rrugore? Ajo bën vetëm gjoba. Po atëherë, kush e mendon dhe kush merret me këtë makth të përditshëm për qindra mijëra qytetarë dhe turistë? Dhe si mund të shmanget që të gjithë të merren pak me këtë çështje, por pa u koordinuar mes tyre?
Nuk mund të thuhet se problemi nuk është trajtuar, por është zgjidhja ajo që nuk është gjetur. Le të marrim Unazën e Madhe, simbolin e investimeve të mëdha dhe rezultateve të vogla. Janë shpenzuar dhjetëra milionë euro për një infrastrukturë që funksionon vetëm në letër. Brenda unazës trafiku ecën, por sapo tenton të hysh në qytet, gjithçka paralizohet. Projektuesit dhe financuesit kanë harruar të përshtatin rrugët lidhëse midis unazës dhe qytetit dhe, për pasojë, në çdo dalje krijohen radhë kilometrike me pritje të pafundme. Jo vetëm sepse rrugët lidhëse janë të ngushta, por sepse ato përfundojnë menjëherë në kryqëzime ku bashkohen rrugë të tjera, duke krijuar nyje trafiku që askush nuk arrin t’i zgjidhë. Është si të ndërtosh një ujësjellës dhe të harrosh të ndërtosh edhe tubacionet që çojnë ujin nëpër shtëpi. Çfarë kuptimi ka?
I njëjti problem përsëritet në rrugën drejt aeroportit, ose përgjatë superstradës Tiranë–Durrës, ku situata rëndohet edhe më shumë nga punimet e zgjerimit. Por edhe kur këto punime të përfundojnë, gjendja nuk do të përmirësohet ndjeshëm për aq kohë sa rrugët e hyrjes në qytet mbeten ato që janë sot: të ngushta dhe të bllokuara nga kryqëzime. Problem identik përgjatë shumë rrugëve të tjera të vendit: investime të mëdha në rrugët kryesore, asnjë investim në rrugët e hyrjes në qytete.
Pasi me ne fund futesh në Tirane, përfundon në Unazën e Vogël. Dhe këtu nis makthi i semaforëve, të cilët ndryshojnë ngjyrë çdo 30 sekonda ose me pak: në orët e pikut, arrijnë të kalojnë vetëm dy-tre makina për çdo dritë jeshile, para se të ndizet sërish e kuqja. Në qytetet e mëdha, kohëzgjatja e semaforëve studiohet me kujdes ekstrem nga komisione ekspertësh, pas analizash të gjata dhe studimesh të detajuara; në Tiranë, përkundrazi, duket se është lënë krejtësisht në dorë të rastësisë. Nuk shihet asnjë logjikë dhe asnjë studim pas atyre semaforëve që ndizen dhe fiken pa asnjë kriter. Megjithatë, ata janë të bukur dhe modernë, dhe duket se është kujdesur vetëm ana estetike: sikur të ishin më pak të bukur, por më inteligjentë (dhe të programuar me kriter), ne automobilistët do të ishim shumë më të kënaqur.
Dhe kur semaforët nuk mjaftojnë, ndërhyjnë policët për ta komplikuar edhe më shumë trafikun. Është e dhimbshme t’u ngarkosh fajin agjentëve, që janë hallka e fundit e një zinxhiri përgjegjësish të tjera, por nuk kuptohet as nëse dikush i ka trajnuar se si menaxhohet trafiku. Ata tundin shkopin sikur po vrasin mushkonja dhe fishkëllejnë pa pushim, sikur kjo të mjaftonte për të zhbllokuar një trafik të ngjeshur. Nëse pas tyre ka një radhë të pafund makinash në pritje, ata fishkëllejnë drejt korsisë bosh. Dhe kur më në fund lejojnë makinat të lëvizin, pas 30 sekondash ndryshojnë mendje dhe i bllokojnë sërish. Pa folur pastaj për rastet kur, papritur dhe pa asnjë paralajmërim, bllokojnë hyrjen e një rruge duke vendosur motorin për së gjati për të devijuar qarkullimin në një drejtim tjetër! Në cilin qytet evropian trafiku ndryshon drejtim sipas humorit të momentit të një polici?
Projekte të gabuara dhe të paplota, semaforë “budallenj”, policë të papërgatitur. Dhe pastaj, për ta përkeqësuar më tej trafikun, jemi edhe ne automobilistët, të cilët edhe në timon tregojmë mungesë totale disipline, duke filluar nga ideja absurde për të udhëtuar gjithmonë në korsinë e parakalimit, duke besuar që korsia e djathtë të ishte e rezervuar vetëm për budallenj. Një marrëzi që jashtë Tiranës ngadalëson trafikun dhe që në qytet shndërrohet në parkime të ndaluara, parkime në rresht të dytë, madje edhe ndalesa në mes të rrugës vetëm sepse kemi parë një mik që kalon në këmbë dhe vendosim të bëjmë një bisedë nga dritarja e hapur, ndërsa ata që janë pas nesh le të presin. Parkimet në rresht të dytë janë në fakt jo vetëm pasojë e mungesës së disiplinës së shoferëve, por edhe e mungesës kronike të parkimeve publike: pak hapësira që ekzistojnë janë privatizuar nga bashkia në favor të dyqaneve, bankave, siguracioneve, kafeneve, restoranteve dhe madje edhe të disa banorëve të pasur pallatesh. Hapësira të tjera janë zënë nga korsitë e biçikletave, tashmë më të gjera se korsitë për makinat, edhe pse mbeten pothuajse gjithmonë bosh. Pse duam të imitojmë modelin e rrugëve holandeze (ku të gjithë lëvizin me biçikletë), pa pasur numrin e tyre të çiklistëve? T’i japësh hapësirë biçikletave kur ka pak makina ka kuptim, por t’u heqësh hapësirë makinave pa pasur biçikleta është marrëzi.
Kërcënimi me burg për parkimin në rresht të dytë është një pikë uji në një oqean problemesh. Trafiku është një emergjencë absolute, e destinuar të përkeqësohet me ardhjen e sezonit turistik, dhe që sjell me vete jo vetëm ndotje më të madhe të qytetit, por edhe një kosto e llahtarshme në kohë të humbur. Nëse qeveria ka llogaritur me kënaqësi sa orë pritjeje u janë kursyer shqiptarëve në sportelet publike falë shërbimeve digjitale të E-Albania, a është pyetur ndonjëherë se sa orë humbasin ata duke qëndruar në radhë në trafik? Pse ministrat nuk provojnë të qarkullojnë në Tiranë pa eskorta, pa sirena, pa rrugë të hapura artificialisht? Vetëm atëherë do ta kuptonin vërtet se çfarë do të thotë fjala “ferr”. Dhe ndoshta edhe opozita do të bënte mirë të dilte nga retorika e skandaleve (shpesh herë) imagjinare dhe të merrej me një problem real, konkret, që prek përditë jetën e qytetarëve. Ndoshta, për herë të parë, do të kishte një kauzë të vërtetë popullore për të protestuar, pa pasur nevojë të shpikë shpifje kundër askujt.
Komente







