Pritej të ishte ndeshja ku Shqipëria të tregonte dhëmbët dhe të kapte vendin e parë, por kundër Izrealit në ‘Air Albania’ pati vetëm zhgënjim. Edhe pse kaluan të parët në avantazh me Brojën miqtë përmbysën dhe fituan 1-2 falë ‘dopietës’ së Solomon, lojtarit më të mirë te Izreali.

“Bëmë mirë në pjesën e parë duke kaluar në avantazh, por në pjesën e dytë gabuam ndaj një skuadre te fortë, me lojtarë cilësorë. E meritoj fitoren kundërshtari, pasi bëmë shumë gabime që nuk po na lejojnë të rritemi,”-u shpreh Edy Reja, trajner i Shqipërisë.

I pyetur nëse kjo humbje më në fund e ka bërë të ndërrojë mendje mbi skemën 3-5-2 shumë të kritikuar trajneri Reja u përgjigj:

“Kam 3 vite që jam këtu dhe ende bëhet kjo pyetje. S’ka lidhja skema, por duhet ekuilibër në fushë. Nëse luajmë me një rival shumë të fortë duhet t’i njohim meritat e tyre. Ajo që duhet të rregullojmë është që mos të bëjmë më dhurata,”-deklaroi Edy Reja, trajner i Shqipërisë.

Me këtë humbje Shqipëria renditet e treta nga tre skuadra në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë kanë vetëm 1 pikë pas dy ndeshjeve, me Islandën në vendin e dytë me po kaq pikë, ndërsa Izreali kryesues ka katër pikë. Për kombëtaren ndeshja e radhës është me datë 13 qershor kundër Estonisë po në ‘Air Albania’, por këtë herë jo për Ligën e Kombeve por miqësore.