TIRANE- Minoritarët grekë kërkojnë një Himarë të pastër etnike, sipas tyre. Burime nga PBDNJ-ja theksojnë se bashkimi i zonës së Himarës me Vranishtin dhe me Kurveleshin do të çojë në një acarim të situatës pasi ata kanë konflik kulturor ndërmjet tyre. Konkretisht sipas këtyre burimeve bëhet me dije se Himara dhe Lukova duhet të jenë një zonë më vete e ndarë nga çdo territor tjetër që përbëhet nga shqiptarë.

Kërkesat
Kërkesat e PBDNJ-së e cila ka përfaqësuesit e saj në Kuvend janë për një Himarë të purifikuar. Sipas tyre, bashkimi me dy zonat e tjera të propozuara nga Komisioni për Reformën Territoriale nuk janë të qëndrueshme për disa arsye. Afërsia krahinore është argumenti i tyre i parë se përse nuk mund të bëhet ky bashkim. Konkretisht Vranishti me Kurveleshin janë të ndara nga relievi i thyer malor, që sipas tyre do të bëj të pamundur bashkëpunimin ndërmjet zonave funksionale. Krahas kësaj, një pikë tjetër ku ata përplasen është edhe çështja e fesë.

Sipas PBDNJ-së, zona e Himarës është e përbërë nga një popullsi ortodokse dhe dy krahinat e tjera të cilat propozohen për t’u bashkuar janë tërësisht me fe tjetër, myslimane, që sipas tyre, prish edhe identitetin kulturor të zonës. Veç kësaj, njësia e re minoritare në jug të vendit parashikon që të marrë edhe fshatarat e bregut. Konkretisht Palasa, Dhërmiu, Vunoi, Jala etj do të jenë nën administrimin e Bashkisë së Himarës dhe për këtë, PBDNJ-ja kërkon që të mos bashkohet me dy zonat e tjera, të cilat janë krahina pjesë të Labërisë, me karakter të theksuar patriotik.

Qeveria
Por pretendimet e bëra tashmë publike nga ana e përfaqësuesve të minoritetit grek në Shqipëri duket se kanë marrë kundërshtimin e qeverisë shqiptare. Konkretisht për zonat e minoritetit grek, OMONIA kërkoi që të zbatohej varianti i 5 i propozuar nga qeveria, por që duket se nuk do të marrë miratimin nga ana e komisionit si edhe ekzekutivit. Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi theksoi dje në një dalje për mediat se këto kërkesa nuk do të merren për bazë nga qeveria, duke lënë të kuptohet se për këto zona do të zbatohet varianti i 3 i propozuar, ai me 47 njësi të qeverisjes vendore. Sipas Çuçit, kërkesa e përfaqësuesve minoritarë nuk gjejnë plotësimin e kushteve teknike dhe për këtë kërkesat e tyre nuk do të miratohen.

“Ne kemi gjetur zgjedhjen më të mirë të mundshme, për sa i përket krijimit të një zone funksionale, me qendër Himarën, që përfshin zonën që lidhet me lumin e Vlorës, me komunën e Vranishtit, dhe me komunën e Lukovës, me të cilën ka të njëjtën specifikë gjeografike. Himara më vete as që nuk diskutohet se mund të rrijë si një zonë funksionale. Këtu s’ka absolutisht asgjë për të debatuar në lidhje më këtë çështje”- u shpreh Çuçi. Por kjo deklaratë e tij duket se do të hapi debat brenda koalicionit qeverisës, sepse minoriteti grek ka tri përfaqësues në Kuvend, të cilët mund të bëhen vendimtarë për miratimin ose jo të reformës territoriale.

Shkrimi u përditësua në 27 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)