Dua të falenderoj deputetët tanë të Komisionit të Ligjeve për punën shembullore që bënë për kalimin e të gjitha kodeve, duke garantuar që vota e opozitës të mos shkojë për arnimet pa sens të qeverisë dhe as për t'i hedhur hi syve Komisionit Europian përmes një konsensusi shterpë. Grupi ynë parlamentar ka rikonfirmuar, kështu, edhe njëherë me qëndrimin e vet se integrimi europian i vendit përbën një angazhim prioritar të patjetërsueshëm për Partinë Socialiste dhe për mbarë opozitën e sotme shqiptare.

Nga ana tjetër, ne dhamë një shembull kuptimplotë jo vetëm të vizionit tonë europian e të një ekspertize serioze në hartimin e të gjitha amendamenteve të nevojshme, por edhe të një sjelljeje politike krejt të ndryshme nga pala tjetër në procesin e ligjbërjes. Ne ndërtuam një proces të hapur, gjithëpërfshirës, transparent me publikun dhe të volitshëm për aktorët shoqërorë të interesuar që ndërhyrjet në kodet tanimë të miratuara të përmbanin edhe kontributet e tyre. Kam kënaqësinë t'ju informoj se qasja jonë dhe i gjithë kontributi ynë konkret për një proces cilësor, si nga pikëpamja demokratike edhe nga ana profesionale, janë përshëndetur ngrohtësisht nga miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Roli i opozitës parlamentare është çmuar me nota shumë pozitive prej tyre dhe konsiderohet si një kontribut i vyer që duhet të konsolidohet edhe më tutje në funksion të integrimit europian të vendit.

Fatkeqësisht, të vetmit që jo vetëm nuk pranojnë ta shohin këtë të vërtetë në sy, janë kundërshtarët tanë politikë me kryeministrin në ballë, i cili për të mbuluar dështimin e plotë të qeverisë në procesin e integrimit vijon të hedhë baltë mbi opozitën dhe të na akuzojë se po bllokojmë integrimin. Madje, kryeministri shkon aq larg me gënjeshtrat e shpifjet e tij për opozitën sa u thotë shqiptarëve se ne bllokuam votimin e Kodit ndërkohë që po diskutohej në Bruksel fati i statusit të kandidatit. Kjo është kaq e pavërtetë, sa ç'është e vërtetë, fatkeqësisht, që pala tjetër e ëndërronte votën tonë kundër në seancën e shkuar si një provë për propagandën e saj antiopozitare, dhe për këtë mobilizoi të gjitha mediat e kontrolluara prej saj për të vënë në gojën tonë disa ditë përpara seancës, gjëra që ne nuk i kemi thënë asnjëherë. Me votimin e të gjitha kodeve me 3/5 në afatin e dakordësuar qysh në nëntor me partnerët europian, ne kryem plotësisht detyrën tonë të shtëpisë si opozitë, por statusi i kandidatit nuk mund të vinte e nuk mund të vijë si lajm i mirë nga Brukseli nëse nuk plotësohen rekomandimet që kanë të bëjnë me qeverisjen, me luftën kundër krimit e korrupsionit e me radhë.

Loja e fajësimit të opozitës është e vetmja që i ka mbetur Saliut për të futur kokën si struci në rërë në përpjekjen e kotë që të fshehë dështimin e qeverisë në këtë proces, ndërkohë që kush ka sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar e kupton fare lehtë se shumica e detyrave ende të parealizuara të listës së rekomandimeve të Komisionit Europian kanë të bëjnë me qeverinë dhe vetëm me qeverinë. Ndërkohë, lejomëni t'ju marr disa minuta për të bërë edhe për publikun një bilanc të punës së lavdërueshme të Komisionit të Ligjeve e të Grupit Parlamentar në tërësi gjatë këtij procesi.

Tanimë Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 3/5-tat të gjitha ndryshimet e nevojshme për Kodin Hekurudhor, Kodin Detar, Kodin Ajror, Kodin Rrugor e së fundi edhe Kodin Civil e atë Penal. Gjatë punës e diskutimeve mbi ndryshimet e propozuara paraprakisht nga qeveria në këto kode doli qartë në pah se:

- Draftet e qeverisë nuk adresonin problematikat reale të drejtësisë dhe sigurisë në vend, lidhur me Kodin Penal dhe atë Rrugor.

- Nismat qeveritare karakterizoheshin nga mungesa e seriozitetit dhe profesionalizmit, përveçse nga mungesa e plotë e transparencës me publikun, shoqërinë civile dhe grupet e interesit. Në Kodin Civil, në Kodin Penal, Kodin Rrugor dhe në atë Ajror, këto karakteristika ishin plotësisht të lexueshme.

- Qeveria nuk kishte reflektuar në një masë shqetësuese vërejtjet dhe propozimet e ekspertizës ndërkombëtare që kishte asistuar në procesin e hartimit të tyre. (Kodi Penal dhe qëndrime të OPDAT)

Kontributi i rëndësishëm i opozitës në këtë proces ishte veçanërisht kyç në ndryshimet cilësore që iu bënë Kodit Ajror, Kodit Rrugor, Kodit Civil dhe Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

- Në Kodin Ajror janë propozuar 5 (pesë) amendime nga ana jonë, të cilat i janë nënshtruar diskutimit në komisionin përkatës e në përfundim janë pranuar 2, 2 të tjerë është reflektuar përmbajta në nenet ekzistuese të Kodit dhe vetëm 1 është rrëzuar.

- Në Kodin Rrugor nga ana jonë u propozuan 19 ndryshime në 20 nene të projektligjit të sjellë nga Këshilli i Ministrave, si dhe u propozuan 7 ndryshime të tjera, që ishin të reja. Të gjitha këto amendime, me përjashtim vetëm të një amendimi të prezantuar nga shoqëritë e sigurimit, që për shkak të një gabimi material në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, nuk u përfshi dot në tekstin integral të ligjit, janë miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Sipas kërkesës sonë, u thirrën në seancë dëgjimore 5 përfaqësues të shoqatave që merren me sigurinë rrugore si dhe dy përfaqësues nga shoqëritë e sigurimit, të cilët sollën një kontribut të rëndësishëm. Komunikimi i vendosur me grupet e interesit lehtësoi ndjeshëm arritjen e konsensusit mes palëve në Komision lidhur me të gjitha ndryshimet e prezantuara nga ana jonë, gjithsej 26 të tilla.

- Në Kodin Civil, u ndërhy në të gjitha nenet e propozuara nga qeveria duke sjellë si rezultat formulime cilësisht të reja në përmbajtje e në formë.

Dy janë amendimet më të rëndësishme të Kodit Civil që ishin fryt i drejtpërdrejtë i punës së deputetëve të opozitës, relatores së komisionit për këtë çështje sigurisht, ekspertëve ndërkombëtarë, shoqërisë civile, si dhe profesorëve të së drejtës në Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkollës së Lartë të Magjistraturës. I falenderoj të gjithë.

- Në Kodin Penal u bë një dallim i qartë mes qasjes së opozitës dhe asaj të qeverisë. U ndryshuan tërësisht 15 nene të Kodit Penal, 10 ndër të cilët u propozuan nga ne. U ndryshuan pjesërisht 20 nene të po këtij kodi, nga të cilat 9 ishin kontributi ynë i plotë dhe 11 të tjera vinin nga qeveria, por morën formën korrekte falë kontributit tonë. Në të 17 propozimet për amendime të Kodit Penal të sjella nga qeveria, nuk pati qoftë dhe një të vetëm që të ishte rezultat i analizës teorike dhe praktike të zbatimit të dispozitave të ndryshme të Kodit Penal nga ana e Drejtorisë së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë. Të gjitha amendimet e propozuara prej tyre ishin transpozime mekanike në Kodin tonë Penal të dispozitave që përmbajnë akte të ndryshme ndërkombëtare.

Nënvizoj se në Komisionin e Ligjeve, nga opozita u propozuan 10 (dhjetë) amendime lidhur me dhunën në familje dhe disa forma të tjera të shfrytëzimit të fëmijëve dhe grave. Këto amendime u pranuan duke u reflektuar përfundimisht si 4 nene të reja të Kodit Penal dhe 2 nene të tjera të ndryshuara pjesërisht. Gjithashtu, u propozuan nga ne 10 amendime të dispozitave lidhur me veprat penale që kanë të bëjnë me zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve. Këto propozime u diskutuan dhe u miratuan me konsensus si në Komisionin e Reformës Zgjedhore ashtu dhe në atë të ligjeve.

Dua të vërej në këtë pikë se e konsideroj qesharake dhe madje të turpshme retorikën e Kryeministrit për ndryshimet që ne futëm në kod lidhur me krimin zgjedhor. Kryeministri propagandoi me zë të lartë se rritja e dënimeve për krimin zgjedhor ishte një synim i yni se gjoja donim të dënonim komisionerët socialistë. E vërteta është se edhe këtu ne dallojmë qartë me palën tjetër, për ne krimi është krim dhe cilido që e kryen atë krim duhet të ndëshkohet pavarësisht bindjeve, përkatësive apo lidhjeve të tij partiake ose të çfarëdo natyre tjetër. Për ne korrupsioni është korrupsion dhe si i tillë duhet të ndëshkohet, pavarësisht nëse të korruptuarit i përkasin një kampi apo një kampi tjetër dhe pavarësisht lidhjeve që ata mund të kenë me këdoqoftë në sferën politike. Kështu që, besoj se të gjitha ndryshimet që tani më janë kthyer pjesë e Kodit Penal për krimin zgjedhor u vlejnë shqiptarëve, i vlejnë Shqipërisë si një mesazh i qartë nga ana jonë, por tanimë edhe nga vetë parlamenti me ose pa dashjen e Sali Berishës, që vota është e shenjtë dhe kush e prek atë ka vetëm një vend për të shkuar, e ky vend është burgu.

Në Komisionin e Ligjeve, nga opozita u propozuan edhe 12 amendime të tjera për vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga punonjësit shtetërorë a në shërbim publik, lidhur me falsifikimin e dokumentave, me mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe në pjesën parimore të Kodit Penal. Nga këto propozime, 6 prej tyre u miratuan me konsensus, duke i lënë mundësinë për 5 të tjera, Ministrisë së Drejtësisë të bëj një ripunim të mëvonshëm mbi një pjesë. Ndërsa për një propozim, propozimi i shumë diskutuar për falsikimin e statistikave zyrtare, nuk u arrit dot konsensusi. Besoj që për të gjithë shqiptarët është e qartë pse. Kryeministri është kapur fort pas statistikave të falsifikuara dhe kërkoi deri në fund pandëshkueshmërinë për falsifikatorët, që shifrat e tij imagjinare i kthejnë në shifra zyrtare.

Amendimet në Kodin Penal iu nënshtruan një procesi të gjatë diskutimi. Janë rreth 300 faqe diskutime për Kodin, në komisionin e ligjeve dhe pjesa më e madhe e tyre u përkasin diskutimeve shumë profesionale dhe konstruktive të deputetëve të opozitës, të fiksuara në procesverbalet e 7 mbledhjeve që ky komision zhvilloi për Kodin Penal.

Dua ta nënvizoj si një pjesë të rëndësishme të këtij procesi, faktin se me kërkesë të opozitës procesi u hap për shoqërinë dhe plotë 11 përfaqësues të shoqërisë civile janë thirrur në seancë dëgjimore për Kodin Penal. Ndërkohë që, dua ta vlerësoj shumë faktin, se komisioni i ligjeve dhe kryetari i komisionit të ligjeve për palën tonë, Fatmir Xhafaj, u angazhuan dhe ia arritën të ndërtojnë edhe një proces të hapur jashtë sallës së komisionit në tryeza publike që ishin një kontribut i posaçëm për formësimin e të gjitha bindjeve edhe pikëpamjeve për këto ndryshime, por edhe një shprehje e qartë e mënyrës sesi ne e mendojmë qoftë një parlament demokratik, qoftë edhe një qeverisje demokratike. Asnjë parlament nuk mund të jetë demokratik, asnjë qeverisje nuk mund të jetë demokratike nëse në procesin e ligjbërjes dhe të ligjvënies nuk arrin dot të garantojë transparencën për publikun dhe të përfshijë aktorët shoqërorë, që me kontributin e tyre bënë që cilësia e gjithë këtyre ndryshimeve në kontekstin integrimit europian të jetë e garantuar.

Angazhimi ynë në miratimin e ligjeve me 3/5 ishte serioz, jo thjesht se vet miratimi i ligjeve që kërkojnë të votohen me 3/5 është kërkesë e vënë nga Bashkimi Evropian, por sepse këto ligje përbëjnë një bazë të rëndësishme për zgjidhjen e problemeve që mbart realiteti shqiptar dhe për ne ishin një mundësi e shfrytëzuar plotësisht për të ndërhyrë në to, në funksion edhe të vizionit që kemi për shtetin dhe funksionim e tij.

Procesi në fjalë dëshmoi po ashtu se Qeveria nuk ka një vizion të qartë për këto reforma integrale dhe as për domosdoshmërinë e qëndrueshmërisë në afat të gjatë të të gjitha ndërhyrjeve me këtë karakter të ligjvënies.

Sfida e radhës është Gjykata Administrative. Kemi përgatitur shumë seriozisht qysh prej nëntorit, me një grup të konsiderueshëm ekspertësh qëndrimin e PS, lidhur me atë sesi duhet që ligji për Gjykatën Administrative të jetë në standardet ndërkombëtare dhe Gjykata Administrative të kthehet në institucionin që i duhet shtetit dhe u duhet shtetasve shqiptarë. Po ashtu në këtë proces, siç vepruam edhe për kodet, kemi organizuar edhe tryezën publike të radhës, ku do të ftohen të gjithë ata aktorë shoqërorë dhe grupe interesi që kanë dëshirë dhe nevojë të japin kontributin e tyre. Në mënyrë që ligji për Gjykatën Administrative të jetë përsëri një ligj i të gjithëve dhe për të gjithë. Jo një tjetër arnë në një proces ku është e pamundur t'i hedhim hi syve Komisionit Europian, ashtu sikundër është krejt e pamundur që ne të bëhemi pjesë në rast se procesi nuk është serioz, përmbajtësor dhe padyshim cilësor.

Besoj që edhe për Gjykatën Administrative ne do të japim një kontribut po kaq të vyer sa ç'dhamë në procesin e mbyllur me sukses me Kodet dhe do të vazhdojmë të japim energjikisht kontributin tonë që statusi i kandidatit për Shqipërinë të mos kthehet në një fatalitet dhe në një tjetër rast të humbur këtë vit. Statusi është aty por është Kuvendi, është qeveria dhe pastaj, sigurisht, vjen edhe opozita në nevojën për të plotësuar një për një të gjitha rekomandimet e bëra, varet nga Shqipëria, varet nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe do të bëjmë gjithshka ne mundemi që pjesën tonë të detyrave për arritjen e këtij objektivi madhor për Shqipërinë ta realizojmë me seriozitet, me përpikmëri, dhe padyshim me të gjithë pasionin politik për integrimin sa më shpejt të Shqipërisë në familjen europiane.

Unë ia kam bërë të qartë qysh në nëntor, Komisionerit Fule në takimin e nëntorit në Bruksel, ashtu sikundër ia kam bërë të qartë në vijimësi të gjithë përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri, se për ne statusi i kandidatit për vendin nuk është pjesë e lojës politike, nuk është pjesë e përpjekjes së brendshme mes forcave politike, por është pjesë e vizionit dhe e angazhimit tonë në emër të interesave kombëtare të vendit dhe në emër të të gjithë shqiptarëve që e meritojnë statusin e kandidatit prej kohësh, por që janë privuar, fatkeqësisht, prej të drejtës për ta pasur këtë status për shkak të mosrealizimit të një pjese dërrmuese të prioriteteve të vendosura nga Bashkimi Europian në vite. Lejomëni ta nënvizoj siç e ka nënvizuar edhe vetë Komisioneri se procesi i ligjvënies është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër e medaljes është procesi qeverisës, është lufta kundër krimit, lufta kundër korrupsionit, lufta për të pasur një sistem drejtësie funksional ku drejtësia jepet dhe nuk shitet apo blihet, lufta për të garantuar një tërësi standartesh të prekshme për çdo qytetar të këtij vendi dhe jo thjesht për t'i shkruar ato në ligje. Gjithsesi opozita në këtë proces ka vetëm një gjë në dorë, të marrë pjesë në shkrimin e këtyre ligjeve dhe ta bëjë këtë me të gjithë energjitë e saj morale dhe profesionale. Këtë e kemi bërë pikë për pikë deri më sot dhe do ta bëjmë pikë për pikë deri në fund. Ndërkohë që në rast se edhe pala tjetër do të kishte bërë të njëjtën gjë duke bërë pikë për pikë detyrat e veta si qeveri në procesin qeverisës ne nuk do kishim mbetur mbrapa Serbisë dhe nuk do ishim sot përpara një horizonti shumë të ngushtuar. Është një horizont i ngushtuar, por nuk është një horizont i mbyllur plotësisht. Ne jemi të gatshëm për ta zgjeruar këtë horizont dhe për të bërë të mundur që brenda këtij viti Shqipëria ta marrë statusin e kandidatit. Ne dimë se si mund të shkohet deri aty, por ne kemi në dorë të bëjmë vetëm pjesën tonë. Dhe pjesa jonë është krejtësisht e pamjaftueshme sepse të gjithë e dinë, të gjithë e dimë, e di edhe kryeministri, se tek e fundit nuk vlerësohet thjesht çfarë është e shkruar në letër, por vlerësohet performanca e shtetit dhe e qeverisë kur është fjala për të hapur këtë derë kaq të rëndësishme në rrugën tonë drejt tryezës së familjes europiane.

(aq/shqiptarja.com)