TIRANE- Agjencia Kombëtare Bërthamore u krijua në kohën e administratës “Berisha” me VKM nr.23, datë 20.1.2010, me qëllim ndërtimin dhe menaxhimin e një centrali bërthamor në Shqipëri. Sipas vendimit ky institucion varet nga Kryeministri, që emëron dhe drejtuesin. Kreu i parë i Agjencisë Kombëtare ka qenë Milo Kuneshka.

Agjencia është institucion buxhetor po mund të financohet dhe nga donatorë të huaj ose vendas. Detyrat kryesore të Agjencisë janë, ngritja dhe mirëfunksionimi i infrastrukturës së nevojshme, në mbështetje të programit kombëtar bërthamor. Hartimi i kuadrit të plotë ligjor, që do mbështesë zhvillimin normal të programit. Bashkërendimi i punës për përzgjedhjen e vendeve, ku mund të ndërtohet centrali  bërthamor.

Hartimi i dokumentacionit dhe ndjekja e procedurave, në bazë të të cilave do kërkohen oferta për centralin bërthamor. Ky institucion ka për detyrë të bashkëpunojë ngushtë dhe të informojë në vazhdimësi Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për gjithçka e sa herë është parashikuar në protokollin shtesë të marrëveshjes së garancive. PS, në atë periudhë në opozitë, ka kundërshtuar këtë vendim të administratës “Berisha”, duke e cilësuar qeverinë e atëhershme të paaftë për të ndërmarrë ndërtimin e një centrali bërthamor.

Nga ana tjetër, qeveria e atëhershme ka reaguar duke u shprehur se, formimi i kësaj agjencie, përbën një detyrim kombëtar dhe ndërkombëtar për Shqipërinë në procesin e integrimit të saj euro-atlantik, si dhe ka si mision shumë të rëndësishëm përgatitjen e një kuadri modern ligjor për mbrojtjen e qytetarëve shqiptare nga të gjitha format e rrezatimit bërthamor.   
 

 Shkrimi u publikua sot (11.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)