TIRANE -Publikohen fituesit e fundit në Universitete. Ministria e Arsimit ka mbyllur procesin e fituesve, nëpërmjet formularit A3. Në krahasim me dy fazat e para, vihet re një ulje e nivelit të pikëve për çdo degë. Kryesisht janë degët e universiteve në rrethet të cilat kanë pësuar ndryshimin më të madh. Gazeta publikon sot fituesit e fundit për të gjitha degët.

Regjistrimi
Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se nga dita e sotme të gjithë kandidatët fitues mund të regjistrohen pranë fakulteteve përkatëse. Për t’u regjistruar duhet që të keni diplomën e shkollës së mesme, 2 fotografi, faturën e tarifës prej 1600 lekësh të paguar në pikat e Postës Shqiptare dhe një deklaratë të cilët do ta plotësoni pranë sekretarisë. Afati i fundit për t’u regjistruar është data 9 tetor. Viti akademik 2015-2016 do të nisë në 12 tetor.

Kuotat
Pavarsisht se  ishin 3 faza për të plotësuar rreth 19 500 kuota të miratuara nga Këshilli i Ministrave, pësëri një pjesë e tyre nuk janë plotësuar. Agjensia Kombëtare e Provimeve thotë se ka një sërë kuotash të cilat do të mbeten bosh dhe pritet të shpallen si të “djegura” nga Ministria e Arsimit. Edhe udhëzimi i MAS përcakton se kuotat që mbeten të paplotësuara nuk do të rishpërndahen pas formularit A3. Ky do të jetë viti i fundit që fituesit në Universitet shpallen vetëm nëpërmjet maturës shtetërore, pasi vitin tjetër hyn në fuqi ligji i ri për arsimin e lartë.